Milan e Inter rrezikojnë Champions-in, kuqezinjtë “ngecin” në Bologna, zikaltërit mposhten nga Monza

Milan gabon sërish në kampionatin italian, duke u ndalur në një barazim 1-1, në transfertë përballë Bologna-s. Kuqezinjtë vinin në këtë përballje me ekipin e dytë, pasi trajneri Pioli la pushim disa prej titullarëve, për shkak edhe të ngarkesës së lartë fizike prej ndeshjes në Champions League ndaj Napolit. Në ‘Dall’Ara’ vendasit shokuan milanezët që në sekondën e 33-të, kur Sansone mposhti Maignan, duke përfituar nga përgjumja e mbrojtjes kundërshtare. Milan shtoi ritmin e lojës dhe në minutën e 40-të vendosi baraspeshën, falë një goditjeje perfekte nga ana e mesfushorit Pobega.

Në pjesën e dytë, Milan kërkoi në disa raste të gjente golin e avantazhit, por tentativat e Leao, Diaz dhe Rebiç nuk gjetën kuadratin e portës së mbrojtur nga Skorupski. Me këtë rezultat ‘Djalli’ vë në pikëpyetje kualifikimin për në Ligën e Kampioneve, sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, Inter vijon me formën katastrofike në Seria A. Zikaltërit pësuan një disfatë të hidhur në ‘San Siro’, duke u mposhtur nga Monza, me rezultatin 0-1. Zikaltërit pësuan humbjen e 4-t, në 5 ndeshjet e fundit në kampionat, duke vënë seriozisht në diskutim kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm. Sfidën e vendosi goli i Caldirolas në minutën e 78-të, që goditi saktë me kokë pas harkimit nga këndorja, teksa për skuadrën e Inzaghit kjo ishte disfata e 11-të në kampionat, në këtë sezon.

Titullar në këtë përballje ishte edhe Kristjan Asllani. Lojtari i kombëtares shqiptare realizoi një paraqitje pozitive, ndërsa la fushën e lojës në minutën e 71-të, për t’i lënë vendin Brozoviç.

Kryesuesit e renditjes së klasifikimit, Napoli u ndal në ‘Maradona’ në një barazim pa gola me Veronan. Një lojë e vakët nga skuadra e Spallettit, që ruan energjitë për ndeshjen e kthimit ndaj Milanit, në Champions League./Limit.al