Ballina Shëndet Gjaku i trashë, qarkullimi i dobët- Cilët janë shkaktarët, simptomat

Gjaku i trashë, qarkullimi i dobët- Cilët janë shkaktarët, simptomat

Shtimi i numrit të rruazave të kuqe të gjakut mund të çojë deri në mbylljen e enëve të gjakut.

Simptomat më të shpeshta fillestare janë dhembja e kokës, dobësia, të kruarit e lëkurës, marramendja. Më së shpeshti zbulohet rastësisht kur pacienti shkon te mjeku për shkak të ndonjë problemi tjetër shëndetësor.

Ekspertët këtë gjendje e quajnë policitemi të cilën e karakterizon numri i shtuar i rruazave të kuqe të gjakut, eritrociteve në vëllimin e përgjithshëm të gjakut gjë që mund të çojë deri në mbylljen e enëve të gjakut dhe në gjakrrjedhje.

Shkaktarët e shtimit të numrit të eritrociteve mund të jenë çrregullimet e mekanizmave rregullatorë në vetë palcën kockore, por edhe gjendjet të cilat çojnë deri në stimulimin e krijimit të shtuar të eritrociteve si përgjigje ndaj ndonjë ngjarjeje në organizëm (mungesa e oksigjenit, sëmundjet malinje, marrja e disa ilaçeve). Përveç këtyre policitemive absolute, ekzistojnë edhe policitemitë relative. Nuk ekzistojnë dëshmi të sigurta që policitemia është trashëguese, mirëpo ekzistojnë studime të cilat tregojnë që ekziston rrezik i madh për shfaqjen e sëmundjeve, nëse personi ka kushërinj të afërt të cilët vuajnë nga gjaku i trashë.

Për policiteminë e shfaqur në kuadër të çrregullimeve të palcës kockore, përkatësisht të sëmundjeve mieloproliferative, te më shumë se gjysma e të sëmurëve është konstatuar që ekziston mutacioni i fituar, por jo mutacioni gjenetik.

Simptomat më të shpeshta fillestare janë: dhembja e kokës, dobësia, të kruarit e lëkurës, marramendja dhe djersitja e shtuar. I sëmuri gjithashtu mund të vërejë skuqje të theksuar të fytyrës dhe skuqje të syve, ndërkaq, nga ana tjetër, ka përshtypjen sikur “i janë mavijosur” gishtat.

Përveç çrregullimeve në krijimin e rruazave të kuqe të gjakut, të cilat ndodhin në palcën kockore, në trashjen e gjakut ndikon mungesa e ekspozimit të indeve ndaj oksigjenit (qëndrimi në lartësi të mëdha mbidetare, sëmundja kronike obstruktive e mushkërive, pirja e duhanit. Pastaj, çrregullimet e funksionimit të veshkave (çrregullimet arteriosklerotike të enëve të gjakut, glomerulonefritiset), marrja e ilaçeve dhe dopingu, preparatet të cilat përmbajnë testosteron ose eritropoetin).

Pacientëve të cilët kanë gjak të trashë u bëhet analiza e hematokriteve të cilat tregojnë pjesëmarrjen e eritrociteve në vëllimin e gjakut. Pas kësaj, caktohet shërimi. Në atë qëllim mund të aplikohet punktimi i venave (“lëshimi i gjakut”) dhe në këtë mënyrë përmirësohet qarkullimi i gjakut. Nëse kjo nuk është e mjaftueshme, aplikohen ilaçe të caktuara, të cilat veprojnë në zvogëlimin e krijimit të qelizave në palcën kockore.

Për t’u penguar shfaqja e trombëve, jepen ilaçe të cilat zvogëlojnë aftësinë e ngjizjes së gjakut. Të sëmurëve të cilët kanë të kruara u përshkruhet terapia simptomatike. /arbresh.info /Limit.al