‘Ata janë heronj të Kosovës’/ ‘The Sunday Times’ jehonë gjyqit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

KOSOVË– Në një shtet të vogël ku Blair dhe Clinton ideolizohen, një histori suksesi i NATO-s po kërcënon të bëhet shumë i thartë”. Kështu e nis artikullin e saj, gazeta britanike, “The Sunday Time”, kushtuar procesit gjyqësor në Dhomat e  Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve.

E përjavëshmja britanike “The Sunday Times“, i ka kushtuar një artikull të gjatë, fillimit të procesit ndaj ish drejtuesve të UÇK-së, të akuzuar për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit,  nga Zyra e Prokurorit të Specializuar  të Kosovës në Hagë.

Artikulli i cili i dedikohet  ish-drejtuesit politik  të UÇK-së, e më vonë pas çlirimit, President e Kryeministër i Kosovës,  Hashim Thaçit, i cili mbahet në  paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, së bashku  edhe  me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, rikujton gjithë këtë  situatë, e cila paradoksalisht fillon me intervenimin e NATO-s në Kosovë në mars të vitit 1999.

Autori i artikullit, gazetari Matthew Campbell, rikujton se bombardimet ishin të definuara si përgjigje kundrejt krimeve serbe të luftës dhe mizorive të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës, që ridefinoi ndërhyrjen ushtarake të Perëndimit si ndërhyrje në baza humanitare.

Mes të tjerave, në artikullin e titulluar- “Ata janë heronj kombëtar të Kosovës-tani të akuzuar për krime lufte”,gazeta përmend se si udhëheqësit britanikë dhe amerikanë –  ish kryeministri Tony Blair dhe ish presidenti Bill Clinton – nderohen si heronjë në Prishtinë.

Në këtë rast, përmendet statuja e  Clintonit në “Bulevardin Bill Clinton” dhe me pagëzimi i fëmijëve kosovarë me emrin “Tonibler”.

 

'The Sunday Times' jehonë gjyqit në Hagë ndaj

faqja e gazetës

 

Në një shtet të vogël ku Blair dhe Clinton janë idhuj, historia e suksesit të NATO-s po kërcënon të bëhet shumë e thartë”, shkruan “The Sunday Times”.

Mes atyre që citohen, është edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në një  intervistë për “The Sunday Times”, ai ka thënë  se populli i Kosovës nuk do ta harrojë kurrë rolin e Mbretërisë së Bashkuar në çlirimin e Kosovës dhe intervenimin e NATO-s.

“Ne kurrë nuk do ta harrojmë rolin e veçantë që kishte Mbretëria e Bashkuar në ndërhyrjen e NATO-s për të ndaluar gjenocidin serb”, citohet Kurti, duke shtuar se –“shpresoja që ish-kryeministri britanik (Tony Blari v.j) të vinte në Kosovë për të festur ‘Ditën e Çlirimit”. 

Pas publikimit të këtij artikulli, të njëjtin e  ka ndarë në llogarinë e tij në Twitter edhe Kryeministri Kurti, duke njoftuar se ka pasur bisedë me autorin e tij, gazetarin  Matthew Campbell.

Është kënaqësi të flas me Matthew Campbell për artikullin e sotëm. Diskutuam për mirënjohjen e Kosovës ndaj Britanisë së Madh, për rrezikun që Serbia të shfrytëzojë Dhomat e Specializuara për të rishkruar historinë dhe Rusia ta shohë Ballkanin si një front kundër NATO-s”, deklaron kryeministri Kurti

Gjithashtu, në artikullin e publikuar, kryeministri Kurti citohet të ketë shprehur shqetësimin se procesi gjyqësor mund ta ndihmojë Serbinë të “rishkruajë historinë”.

“Unë mbështes llogaridhënien për luftën. Megjithatë, më duket e padrejtë që në qendër të vëmendjes po vihet Kosova, ndërkohë që Serbia jo vetëm që ka refuzuar të marrë përgjegjësinë për krimet e saj, por edhe i mohon ato”, citohet të ketë thënë kryeministri Kurti.

Ai më tej ka shprehur bindjen se  Kremlini ka parë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor një “front të dytë” të mundshëm kundër NATO-s pas pushtimit të Ukrainës.

Kosova është një histori suksesi i NATO-s, rusët duan që ajo të dështojë”, ka thënë Kryeministri Kurti.

Gazeta rikujton se forcat serbe ishin përgjegjëse për shumicën dërrmuese të mizorive në Kosovë dhe ndërsa disa u gjykuan në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, shumica e atyre që ishin përgjegjës për spastrimin etnik, përdhunimet dhe krimet e tjera në Kosovë, nuk janë dënuar kurrë.

Të njëjtin artikull e ka publikuar edhe gazeta “The Sun”, me titullin “Ata çliruan Kosovën, e duan Perëndimin…tani akuzohen për krime të luftës”./ RTK-Limit.al