Nga Lutfi Dervishi
10:
Janë bërë shumë të parashikueshëm. Pa hapur gojën gjithkush e di se çfarë do të thonë. Ata që i ftojnë nuk presin prej tyre analiza të thella, komente të balancuara, apo pikëpamje interesante, ata janë ftuar për të bërë “skandal” dhe për të tërhequr vëmendjen.
9:
Palaçot janë njerëzit më të painformuar. A e keni vënë re ndonjëherë se si disa palaço duket se kanë një mendim për pothuajse çdo gjë, edhe kur ata nuk e kanë idenë se për çfarë po flasin? E keni vënë re se përdorin 200-300 fjalë dhe hiqen sikur kanë shpikur rrotën?
8:
Të pasjellshëm. Fyejnë të ftuarit, fyejnë drejtuesin/drejtuesen e programit, por mbi të gjitha fyejnë shikuesit/dëgjuesit.
7:
Unë, unë, unë. Janë të interesuar vetëm për të promovuar veten dhe dhe me këtë promovim gënjejnë njerëz duke u hequr si avokatë/ekspertë/inxhinjerë/mjekë. Janë aty për t’u rrëmbyer kohën të ftuarve të tjerë dhe sigurisht edhe të shikuesit.
6.
Betejë për vëmendje. Nuk vrasin kurrë mendjen se çfarë thonë, sepse qëllimi është vetëm të shihen, të jenë të pranishëm në ekran dhe gjëja e fundit që i intereson është: tema për të cilën janë ftuar të flasin.
5:
Sherrxhinj. Ata gjithnjë bëjnë deklarata idiote me qëllim nxitjen e urrejtjes. Nuk ka asnjë rast që të flasin me logjikë apo të promovojnë dialog, paqe dhe mirëkuptim.
4:
Të papërgjegjshëm. Kur ata bëjnë deklarata të tipit “kodra pas bregut” ose kur përhapin rrena, konspiracione nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për ato që thonë. Nuk ka asnjë rast që të kenë pranuar gabimet ose të kenë pranuar se “parashikimet” e tyre nuk kanë dalë.
3:
Të dëmshëm. Disa nga këta palaço nuk janë thjeshtë të bezdisshëm ose fyes, janë edhe të rrezikshëm sepse me sajesat dhe idiotësitë e tyre mund të shkaktojnë dëm tek të tjerët.
2:
Të mërzitshëm. Po bëhen të mërzitshëm sepse po u ngjajnë “deleve që i qeth një bari”. Megjithëse nuk ngjajnë nga pamja, duket sikur lexojnë të njëjtin tekst. Riciklojnë veten pa thënë asgjë të re dhe interesante.
Dhe arsyeja numër një pse producentët dhe atuorët e programeve televizive duhet të mendojnë dy herë përpara se të ftojnë palaçot në studio:
1.
Janë qesharakë. A nuk është koha për të rinovuar studiot televizive?
Dhe e fundit, ju që i ftoni mos mendoni se talleni me ta. Rusët kanë një fjalë të urtë: nëse fton në vallëzim ariun, është ariu që vendos se kur do të mbarojë tango.