Partitë serbe bojkotojnë zgjedhjet në veri të Kosovës/ BE: Zhgënjyese! Duhet bërë më shumë

KOSOVË– Mospjesëmarrja e partive serbe në zgjedhjet që po mbahen në veri të Kosovës me sa duket ka zhgënjyer Bashkimin Europian. Këtë e ka bërë të ditur një zëdhënës i BE-së, i cili në një komunikim përmes email-it me Radio Kosovën është shprehur se është detyrë e Kosovës dhe e Serbisë që të kenë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në struktura e nivelit qendror dhe lokal.

Zëdhënësi i BE-sëPrandaj është shumë zhgënjyese që Lista Serbe dhe partitë e tjera që përfaqësojnë serbët e Kosovës, kanë vendosur të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore.

Në nëntor të viti të kaluar përfaqësuesit serbë në Kosovë  janë larguar nga të gjitha institucionet kosovare, përfshi këtu pozitat në Qeveri dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit e Policisë së Kosovës në veri. Largimi kishte ardhur sepse serbët e Kosovës nuk e mbështesnin vendimin e Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targat RKS. Nga Brukseli thonë se BE-ja është angazhuar, me partnerët e saj, për të de-përshkallëzuar tensionet dhe që serbët t’i përmbushin detyrimet e tyre të dialogut dhe të kthehen në institucione vendore.

Zëdhënësi i BE-sëDeri më tani është bërë pak përparim. Është e domosdoshme që të kthehemi në një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë.

Me datë 27 shkurt të këtij viti Kosova dhe Serbia nënshkruan një Marrëveshje për Rrugën e Normalizimit ndërmjet dy vendeve. Kjo marrëveshje u përcoll me nënshkrimin e një Aneksi për zbatimin e Marrëveshjes, e nënshkruar në Ohër të Maqedonisë me 18 mars.

Zëdhënësi i BE-sëMarrëveshja dhe Aneksi hapin rrugën drejt normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve. Një pjesë themelore e zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë kthimi i qëndrueshëm i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe pushtetin lokal.

Sipas Bashkimit Europian ata nuk mund ta detyrojnë as Kosovën e as Serbinë  që këto procese demokratike të jenë të suksesshme.

Zëdhënësi i BE-sëËshtë detyrë e Kosovës dhe Serbisë që të kenë prioritet kthimin e serbëve të Kosovës në pushtetin lokal, policinë dhe gjyqësorin dhe të bien dakord për një rrugë përpara që është gjithëpërfshirëse, e drejtë, demokratike dhe paqësore.

Më 23 prill në katër komunat veriore të Kosovës (Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku), me shumicë serbe, pritet të mbahen zgjedhjet lokale. Lista Serbe, por edhe partitë e tjera që përfaqësojnë serbët në Kosovë kanë deklaruar që nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje. /Limit.al