Paqja kërkon tradhti

Nga Shlomo Ben-ami

Në vitin 1795, filozofi gjerman Immanuel Kant shkroi se paqja e përhershme mund të ndodhë ose nëpërmjet diplomacisë ose përmes një “lufte shfarosëse” që i asgjëson të gjitha palët dhe që lë pas vetëm “varrin e madh të gjithë racës njerëzore”.

Historikisht, njerëzimi ka qenë i prirur të favorizojë këtë të fundit, kjo derisa shkatërrimet e luftës i detyruan shtetet ndërluftuese të uleshin në tryezë dhe gjenin një marrëveshje. Por edhe atëherë, nevojitej një lidershipi i guximshëm që t’i jepte fund kasaphanës.

Guximi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky si një udhëheqës i kohës së luftës është i pamohueshëm. Por ai është gjithashtu një peng i mjedisit të tij politik. Duke pasur përballë një ushtri pushtuese të pamëshirshme, mbijetesa e tij politike (dhe ndoshta fizike) varet nga angazhimi i tij i palëkundur ndaj një disfate ruse totale.

Kur fliet mbi kalimin nga lufta në paqe, opinioni publik shpesh është më luftarak sesa liderët politikë. Ndërsa luftërat patriotike si ajo e Ukrainës priren të bashkojnë vendet, kërkimi i një paqeje të papërsosur gjatë kohës së luftës është në thelb përçarës, dhe shihet shpesh si një akt tradhtie.

Por synimi për arritjen e një paqeje përçarëse, është ndoshta e vetmja formë fisnike e tradhti së votuesve. Siç deklaroi dikur presidenti francez Charles de Gaulle “Në politikë, është e nevojshme ose të tradhtosh vendin ose elektoratin. Unë preferoj të tradhtoj elektoratin”. De Gaulle e zbatoi këtë gjë kur nënshkroi Marrëveshjen e Evianit, e cila i dha Algjerisë pavarësinë në marsin e vitit 1962.

Disa muaj më vonë, ai i shpëtoi mrekullisht një atentati nga disa ushtarakë që e kundërshtonin tërheqjen e Francës nga kjo koloni. Ish-kryeministri i Izraelit, Ariel Sharon, ishte gjithashtu një “tradhtar”. Në vitin 2005, Sharon bëri përpjekjen e vetme më domethënëse për të frenuar obsesionin e Izraelit mbi ndërtimin e vendbanimeve në tokat palestineze, duke çmontuar vendbanimet hebraike në Rripin e Gazës dhe disa në Bregun Perëndimor.

Por në këtë mënyrë, Sharon e tradhtoi si elektoratin e tij të djathtë, por edhe gjithë kredon e karrierës së tij politike deri në atë moment. Marrëveshja e së Premtes së Mirë e vitit 1998 që solli paqen në Irlandën e Veriut është një shembull tjetër i një paqeje “tradhtare”.

Për dekada, makthi më i madh i protestantit pro-monarkisë britanike Ian Paisley ishte qëndrimi përballë një militanti republikan katolik romak si Martin McGuinness. Megjithatë, në vitin 2007, dy ish-armiqtë ranë dakord të bashkoheshin me një qeveri për ndarjen e pushtetit; ata u sollën aq mirë me njëri-tjetrin sa që media i quajti “vëllezërit e qeshur”.

Mbreti Abdullah I i Jordanisë dhe presidenti i ndjerë egjiptian Anwar Sadat ishin me më pak fat. Të dy liderët guxuan të shkonin kundër ndjenjës publike dhe kërkuan paqe me Izraelin, dhe e paguan me jetën e tyre. Por ndërsa paqja Egjipt-Izrael i mbijetoi vrasjes së Sadat në vitin 1981, vrasja e Abdullahut në vitin 1951 e vonoi paqen midis Izraelit dhe Jordanisë për më shumë se 4 dekada, dhe i dha një goditje fatale shpresës për një zgjidhje të kombinuar izraelito-jordane-palestineze.

Pasi mësoi për vrasjen e Abdullah, kryeministri britanik Winston Churchill u ankua për humbjen e një mbreti të mençur që “i zgjati Izraelit dorën e pajtimit”. Edhe vendimi i kryeministrit izraelit Yitzhak Rabin për të “bërë paqe sikur të mos kishe terror” i kushtoi jetën.

Rabin, që u vra nga një ekstremist i krahut të djathtë në vitin 1995, nuk i tradhtoi votuesit e tij të qendrës së majtë kur nënshkroi Marrëveshjen e Oslos në vitin 1993. Por nga ana tjetër ai refuzoi të mbahej peng nga ndjenjat e paqëndrueshme të qytetarëve izraelitë në përgjithësi. Një ditë para zgjedhjeve që e ngjitën në pushtet, Rabin i siguroi banorët izraelitë të Lartësive Golan se “është e paimagjinueshme që ne të largohemi nga këtej edhe nëse do të ketë një marrëveshje për paqe”.

Megjithatë, disa muaj më vonë, ai nisi të negocionte me presidentin sirian Hafez Al-Assad për një marrëveshje paqeje që do ta detyronte Izraelin të tërhiqej nga rajoni i rëndësishëm strategjik. Diplomacia e paqes është shumë e diskutueshme kur kryhet nën presionin e zjarrit të armëve.

Për shembull ish-kryeministri izraelit Ehud Barak, nuk u vra për shkak të gatishmërisë së tij për të bërë lëshime ndaj palestinezëve. Por Intifada e Dytë e përgjakshme që shpërtheu gjatë qeverisjes së tij në vitin 2000 çoi në rrëzimin e tij. Armiku i Rabin dhe Barak, udhëheqësi palestinez Jaser Arafat, nuk u angazhua asnjëherë plotësisht në procesin e paqes, nga frika se populli i tij do të kthehej kundër tij.

Siç i tha në mënyrë të përsëritur presidentit të atëhershëm amerikan Bill Clinton “A mos doni të vini në funeralin tim?”, Arafati përfaqësonte një kauzë të drejtë, por ngurrimi i tij për të miratuar një marrëveshje paqeje që do të ishte pashmangshmërisht e papërsosur e pengoi shumë kauzën palestineze për vetëvendosje.

Sigurisht, kauza e Ukrainës nuk është më pak e drejtë se ajo e Palestinës. Por fundi i saj i dëshiruar – humbja e pakushtëzuar e Rusisë – mund të jetë po aq e paarritshme. Ndërkohë, sulmet brutale dhe të pandërprera të ushtrisë ruse po e kthejnë publikun ukrainas kundër çdo lloj forme të negociatave të paqes, duke e bërë edhe më të vështirë për Zelensky që të arrijë një kompromis jopopullor.

Rrjedhimisht, lufta e Ukrainës është bërë një kopje e trishtë e fronteve ku situata mbetej në vendnumëro për vite të tëra gjatë Luftës së Parë Botërore. Ndërsa Presidenti rus Vladimir Putin po bëhet gjithnjë e më i dëshpëruar, po shtohen gjasat që Rusia të përdorë një armë bërthamore në Ukrainë dhe të tërheqë direkt në luftë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n.

Dhe pastaj ekziston mundësia që Kina, aleatja strategjike e Rusisë, të pushtojë Tajvanin dhe të shkaktojë një konflikt global me pasoja katastrofike. Udhëheqësit e Ukrainës duhet të marrin parasysh leksionet e luftës Iran-Irak të viteve 1980. Ai konflikt, që nisi në vitin 1980 dhe zgjati për 8 vjet, vlerësohet se shkaktoi më shumë se 1 milionë të vdekur para se Irani, viktima e lodhur nga lufta e agresionit irakian, të kërkonte në fund një armëpushim.

Ai rezultoi ishte një vendim i mençur, pasi e shpëtoi Republikën Islamike nga asgjësimi. Gjatë vitit të kaluar, Zelensky u shndërrua në një hero të luftës. Por tani ai po përballet me një dilemë torturuese, pasi e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund luftës është përmes një paqeje të papërsosur. Herët a vonë, Zelensky – ose ndoshta Putin – do të detyrohet të kryejë aktin përfundimtar të tradhtisë politike./Project Syndicate – Limit.al