Mjalti i dhuron natyrisht fuqi organizmit, ai është antioksidant dhe armik i mikrobeve.

Për të nisur ditën e mbarë dhe të shëndetshme, me patjetër duhet nisur nga mënyra se si ushqehemi në mëngjes. Mënyra se si ne dalim nga shtëpia për t’u nisur për në punë, ndikon në mënyrë të pavetëdijshme në humorin tonë gjatë ditës. Shumica prej nesh dalin nga shtëpia pa ngrënë mëngjes duke i shkaktuar organizmit drobitje dhe dobësi që në nisje të ditës.

Jo vetëm mjekësia popullore por edhe studime të ndryshme vlerësojnë se nisja e ditës duke konsumuar një lugë të vogël me mjaltë është mënyra ideale për t’i dhënë fuqi dhe energji organizmit përgjatë gjithë ditës.

Vlerat e mjaltit në organizmin tonë

Mjalti përveç si ëmbëlsues, ka një përdorim akoma më të gjërë. Që para se njerëzit të njihnin antibiotikët, mjalti përdorej gjerësisht për të trajtuar djegie ose plagë të lëkurës. Ai përdoret gjithashtu edhe për të zbutur kollën ose si maskë për trajtime fytyre. Por nga ana tjetër, nënat e dinë se mjalti është i rrezikshëm për fëmijët nën moshën 1 vjeçare, sepse shkakton botulizëm. Mjalti përmban sasi të vogla proteine, folati, vitamine C dhe vitamina të tjera të rëndësishme. Vlerat më domethënëse të mjaltit vijnë nga mineralet që ai përmban.

Sipas studimeve ka dalë që në 28 gramë mjaltë gjenden 14% të dozës së rekomanduar të manganit dhe 8% të hekurit. Mangani dhe hekuri janë dy mineralet thelbësore, për të cilat trupi ka nevojë të luftojë sëmundjet dhe të funksionojë mirë.

Mjalti është antioksidant, antibakterial dhe armik i mikrobeve. Ai është i mbushur me vitamina dhe minerale. Nëse do të zgjidhnim një term tjetër për të përshkruar mjaltin, ai me siguri do të ishte “multivitaminë.” Mjalti mund të përdoret për të forcuar energjinë, sistemin imunitar, pakëson alergjitë, zbut kollën, fytin e lënduar dhe lufton infeksionin.

Pra një lugë mjaltë në mëngjes është e përsosur për një organizëm të shëndetshëm./Limit.al   /Top_channel.tv