Vrasja e Behar Sofisë, rrëfehet autori, Ernejt Shyti: Nuk mu shkrep arma, e mbusha dhe qëllova 2 herë

Ernejt Shyti, autori i vrasjes së biznesmenit Behar Sofia më 25 shkurt të vitit 2021 ka dëshmuar përpara togave të zeza të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

24-vjeçari i cili ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të rrëfehet për ngjarjen kriminale, ka identifikuar edhe nofkat që përdornin në grup, konkretisht atë të Skënder Vathit dhe të Leonard Xhixhës.

Sipas dëshmisë së dhënë përpara hetuesëve, Shyti deklaroi se si ‘Dajo’ identifikohej Skënder Vathi, ndërsa ‘Djali i ri’ tha se thirrej Lonard Xhixha.

Gjithashtu autori dha detaje në lidhje me ngjarjen dhe në  momentin e vrasjes së Sofisë, atij nuk iu shkrep arma, më pas e mbushi dhe pastaj e qëlloi dy herë.

23 ditë ka zgjatur vëzhgimi i Behar Sofisë nga Ernejt Shytaj, madje ai tregon edhe një episod konkret.

“Për asnjërin nuk kisha as emër as fotografi. Xhuljano Vishaj më kishte porositur, por pa më dhënë detaje. Për vrasjen në Kamëz më kishte thënë që do e kryente vetë, ndërsa atë në Gjermani do e kryeja unë, përkundrejt 500 mijë eurove. Disa ditë para ngjarjes, e kam ndjekur Behar Sofinë nga Piramida deri tek ish-ekspozita. E identifikova por nuk e kreva dot vrasjen. Atentatin ndaj Behar Sofisë e bëra për 50 milion lekë, paratë nuk i mora asnjëherë, pavarësisht se Xhuljano Visha më kishte thënë se do ti merrja 3 ditë pas ngjarjes. Bujar Lezën e kam takuar për biçikletën, me Xhuljano Vishën, më pas më ka pyetur edhe nëse do i ndërroja rrobat kur të kryeja ekzekutimin. Mësova se Bujari i kishte thënë Xhulios se edhe armën e kishte gjetur. Vrasjen më tha Visha do e bënte për hasmëri, por se për çfarë dhe nga kush ishte porositur nuk e di. Ditën e krimit, nuk mu shkrep arma, e mbusha dhe pastaj qëllova dy herë. Skënder Vathi do më merrte te Liqeni Artificial, por nuk erdhi. Kam ikur drejt Malit të Zi me vëllain dhe Xhuljano Vishën, nuk kemi ndaluar askund, as për të ngrënë. Për komunikim me anëtarët e grupit, kisha një telefon të markës ‘Iphone’, që ma dha Xhuljano Visha të cilit ia ktheva dhe një ‘Nokia’ që ma dha Leonard Xhixha. Ky i fundit, kur kam kryer vrasjen, ka qenë duke vëzhguar shenjestrën, kur kaloi te trotuari, më ka thënë se jam këtu afër dhe se po shkonte te lokali”

Gjatë seancës, pati një ndërhyrje edhe nga Bujar Laze, i cili tha se dikush e ka mësuar bashkëpunëtorin e drejtësisë t’a përmendi biçikletën dhe që sipas tij Ernejt Shyti po e pranonte se nuk kishte njohje me Lezën. Gjykata thirri të paraqiten në seancën e ardhshme 3 dëshmitarë, ndërsa po gjatë kësaj seance që do mbahet më datë 20 prill në orën 14:00, do të jenë të pandehurit që do të japin deklarimet e tyre./Limit.al