Kolegë dhe shokë të ngushtë, dy aktorët e Hollywood zbulojnë se mund të jenë vëllezër

Aktorët amerikanë Matthew McConaughey dhe Woody Harrelson dyshojnë se janë vëllezër nga babai. Shoqëria e tyre njihet prej vitesh dhe kimia mes të dyve është përcjellë edhe në ekran, në bashkëpunimin që patën vite më parë në sezonin e parë të serialit “True Detective”.

Por së fundmi, McConaughey ka lënë të kuptohet se ai dhe Harrelson mund të jenë vëllezër. Gjatë një interviste në SHBA, ai tha: “Nuk e dimë ku fillon e ku mbaron kjo histori, gjithmonë vija ka qenë e zbehtë. Fëmijët e mi e quajnë xhaxha Woody, ndërsa fëmijët e tij më quajnë xhaxha Matthew, etj. etj.. Madje kur shohin fotot e vjetra, familja ime mendon se shumë foto të tijat, janë të mijat dhe anasjelltas”.

“Në Greqi, vite më parë, po bisedonim sa të afërta ishin dy familjet tona”, shtoi McConaughey. “Dhe aty ishte edhe mamaja ime, që tha “Woody, unë njihja babin tënd”… Të gjithë aty kuptuam se kur tha “njihja” ishte më shumë se kaq.

“Filluam të zbërthenim atë fjalë dhe zbuluam që gjatë kohës që babai (i Harrelson) ishte në liri me kusht, mamaja dhe babai im ishin duke bërë letrat e divorcit të dytë. Më pas nisëm të mendonim se do të kishte diku fatura në lokalet në Teksasin perëndimor ku ata të dy mund të jenë takuar”.

Babai i Woody-t, Charles, ishte një vrasës me pagesë, i cili u dënua për herë të parë në vitin 1960 për grabitje me armë. Ai u burgos në vitin 1973 për vrasje dhe u lirua pas pesë vjetësh për sjellje të mirë. Në vitin 1981, ai u dënua me dy burgime të përjetshme për vrasjen e një gjyqtari. Ai gjithashtu pretendoi se kishte vrarë John F. Kennedy dhe vdiq në burg në vitin 2007.

Matthew tha se ata po diskutojnë nëse do ta bëjnë apo jo testin e ADN-së për të konfirmuar lidhjen mes tyre.

“Shiko, është pak më e lehtë për Woody-n të thotë: “Hajde, le të bëjmë [testet e ADN-së]”, sepse fundja çfarë i kushton atij?” tha ai. “Është pak më e vështirë për mua, sepse mendoj, ‘Prit një minutë, po përpiqesh të më thuash që babai im mund të mos jetë babai im, pas 53 vitesh?’ Është pak më e vëshirë për mua.”/ Limit.al