Gjithëve u thërres, kush do ndëlesë
Të mirë e të krështe, bura e gra
Mbë fjalët të tinëzot të shihni meshë
Se s’ishtë njeri nesh çë mkatë s’ka
E lum kush e kujton se ka të vdesë
E mentë bashkë mbë tënëzonë i ka
Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë
E bën për bir të ti e për vëlla.
(1592)
______
Lekë Matranga (1569-1619), është shkrimtari më i vjetër i arbëreshëve të Italisë dhe autori i librit të dytë të botuar në gjuhën shqipe (pas atij të Buzukut).
“Kënga e përshpirtshme”, është gjetur në katekizmin e Lekë Matrangës “E mbsuame e krështerë”, në vitin 1592.
Vepra e Lukë Matrëngës përmban një hyrje në gjuhën italiane, një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe katekizmin në formën e dialogut ndërmjet priftit e besimtarit që përgatitet të marrë sakramentet e shenjta. Kjo vepër u hartua për t’u përdorur nga arbëreshët që nuk e kuptonin variantin latinisht apo italisht të katekizmit dhe u përdor nga qindra familje me prejardhje shqiptare në Kalabri, Siçili e në Pulje të Italisë.