Prej largimit të tij nga Mbretëria, Princ Harry ka patur një marrëdhënie të komplikuar me familjen e tij. Gjërat mes tyre u acaruan edhe më shumë pas publikimit të librit autobiografik “Spare”, pasi Harry kishte shkruar në të se njerka e tij Camilla e kishte manipuluar Charles për t’u martuar me të.
Publikimi i librit që tregonte detaje nga jeta personale e Harryt, si sherri fizik me vëllanë e tij William, para se të largohej nga Mbretëria, nxiti lajmet dhe thashethemet se çifti i Sussex, nuk do të merrnin pjesë në kurorëzimin e Mbretit Charles më 6 maj.
Megjithatë të gjitha zërat u shuan pas publikimit të ftesës zyrtare, ndërsa së fundmi mësohet se Harry do të jetë i pranishëm në ceremoninë që do të mbahet në Westminster Abbey.
Por ai nuk do shoqërohet nga gruaja e tij, Meghan Markle, e cila do të qëndrojë në Kaliforni me fëmijët e tyre. Kështu tha sot një zëdhënës i Pallatit të Buckingham.
Ftesa për në ceremoninë e kurorëzimit i kishte mbërritur çiftit disa javë më parë ndërsa çifti qëndruan të heshtur nëse do të pranonin ose jo./limit.al