Ballina Diaspora Restoranti i shqiptares në Danimarkë, i 8-ti më i miri në botë

Restoranti i shqiptares në Danimarkë, i 8-ti më i miri në botë

Sipërmarrësja e suksesshme në fushën e gastronomisë në Danimarkë.

Ndër shumë vajza dhe gra shqiptare që po tregohen të suksesshme në fusha të ndryshme në botë, është sigurisht edhe Eva Kjaer, sipërmarrësja shqiptare e suksesshme në fushën e gastronomisë në Danimarkë, transmeton albinfo.ch.

Në fakt, ajo ka 30 vjet që jeton në Kopenhagen, ndërsa studimet e saj janë fokusuar te gastronomia molekulare, që e quan si fusha e saj e zemrës.

”Kam në pronësi në Kopenhagen një ndër 8 restorantet më të mira të Danimarkës dhe po në këtë rangim në botë dhe më është dashur shumë punë, pasi këtu konkurrenca, siç dihet, është shumë e madhe”, tha Eva.

”Pasioni im për gatimin ka nisur që në moshën 10-vjeçare, ku kisha dëshirë të futesha në kuzhinë dhe të eksperimentoja”, vijoi më pas ajo.

Vlen të theksohet se kuzhina daneze mbahet si një ndër më të zhvilluarat në botë, ku baza e saj janë produkte natyrale bimore, si rrepat, lakrat, kërpudhat apo çdo gjë që gjendet në natyrë.

“Ne në Danimarkë kemi një shprehje: çdo gjë që futet në pjatë, duhet ngrënë”, tha Eva.

Sipas saj, suksesi i vërtetë i kuzhinës daneze është fakti që gjithmonë përdorin produkte të sezonit, duke respektuar natyrën. “Restoranti im quhet “Leaven”, që do të thotë “brumë”, shtoi më pas ajo.

“Danimarka ka në gastronominë e saj dhe kërpudhat, peshkun, mishin e drerit, pasi të gjitha këto produkte gjenden në natyrën daneze me sasi”, theksoi Eva. /albinfo.ch