I shërbente bandave kriminale, GJKKO dënon me 2.4 vite burg ish-Shefin e Krimeve në Elbasan

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 2 vite e 4 muaj burgim, ish-Shefin e Krimeve në Elbasan, Leonard Palushi.

Ish-Shefi i Krimeve u arrestua gjatë operacionit ‘Plumbi i Artë’, ndërsa u gjet fajtor për akuzën e korrupsionit.

Leonard Palushi u vu në prangat e policisë, pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, që pranoi të bashkëpunojë me Prokurorinë e Posaçme SPAK, për të zbardhur disa ngjarje të rënda kriminale në vend.

Ish-zyrtari i lartë i Policisë së Elbasanit ndihmonte Erion Alibejn, të arrestuar si drejtues i një grupi kriminal që vepronte në këtë zonë.

Referuar hetimeve, ka rezultuar se arma me të cilën u vra Emiljano Ramazani në gusht të vitit 2020, u vendos qëllimisht në një servis automjetesh në Peqin, me qëllim përplasjen e dy grupeve kriminale që s’kishin lidhje me ngjarjen./Limit.al