Ballina ED/OP Banaliteti i së keqes

Banaliteti i së keqes

Nga Agim Baçi

Sipas filozofit spanjoll, Fernando Savater, pjesa më e madhe në shoqërinë e sotme mendojnë sipas logjikës: “Meqenëse nuk jemi të lirë, nuk kemi faj për çka ndodh me ne dhe rreth nesh…”. Është pikërisht kjo filozofi që ka rritur numrin e kurrizulurve dhe kokëtundësve në shoqëritë tona përballë autoritetit edhe kur ndaj tyre ka padrejtësi dhe injorim për atë që u takon.

Është kjo filozofi që rrit numrin e atyre që presin diçka vetëm nga të tjerët, pa besuar se ndryshimi nis pikërisht nga vetë ata. Filozofja Hannah Arendt solli në vëmendje “banalitetin e së keqes” (1963), duke iu referuar rastit të gjeneralit të SS-së dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Hebrenjve, Adolf Eichmann, i cili gjatë procesit gjyqësor rrëfeu se ishte sjellë si një burokrat i bindur pa u thelluar në pasojat e veprimeve të tij që çuan miliona hebrenj drejt shfarosjes.

Në analogji të njëjtë me Eichmann u sollën thuajse në këto tridhjetë vite gjithë bashkëpunëtorët e ish-sigurimit apo hetuesit e ish-regjimit të Enver Hoxhës, teksa kanë deklaruar rëndom se “ashtu ishte koha dhe se ata zbatuan vetëm ligjet e kohës”.

Një gënjeshtër e rrëzuar nga shumë dëshmi të të mbijetuarve nga burgjet dhe internimet, të cilët kanë rrëfyer se si një pjesë jo e vogël e ish-hetuesve apo zyrtarëve të rangjeve të ndryshme i kanë kapërcyer ligjet e kohës, shpesh nga zelli për t’u treguar bindjen e tyre dhe gatishmërinë e tyre për të bërë gjithçka që do t’u kërkohej.

“Banaliteti i së keqes” mbetet një nga çështjet më të diskutueshme edhe sot, thuajse në të gjithë botën, pasi shumë njerëz, ashtu si Eichmann, vijojnë të mbrojnë apo fshehin të keqen ndaj të tjerëve, duke u bërë shpesh shumë më të rrezikshëm sesa ata që e bëjnë një të keqe publikisht apo me dashje. “Republika e banalëve” është një republikë në rritje, që pengon vazhdueshëm njerëzit drejt lirisë, kuptimit, e sidomos drejt guximit për të rrëfyer atë që i shërben një shoqërie më të mirë, më dinjitoze.

Këtij hutimi përpara kuptimit të Lirisë, si dhe të sjellurit banalë, i kanë shërbyer edhe dhjetëra botime lidhur me supozime konspiracionesh të ndryshme, duke synuar pikërisht të godasin një nga pasuritë më të mëdha të njeriut- Kurajën për të Ndryshuar!

Duke tentuar t’i krijojnë idenë njeriut se gjithçka është paravendosur dhe se ai nuk ka asnjë mundësi të ndryshojë rrjedhën, ata mbjellin dekurajimin. Një problem ky që në Shqipëri, nëse do të kërkohej ndonjë sondazh verifikues, do të ishte besoj një nga problemet më të mëdha – dekurajim dhe ankth nga gënjeshtrat.

Përballë këtij banaliteti të parët duhet të nisin betejën ata që jetojnë me fjalën, ata të cilët nuk shkruajnë vetëm për vetveten. Më së paku, duke rrëfyer atë çka humbim çdo ditë nga shmangia e përgjegjësisë dhe dorëzimi që iu ndodh gjithkujt që pranon të jetojë në banalitet…/Limit.al