Atentat me tritol kreut të PD në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca shpëtoi për mrekulli

Vau i Dejës u trondit mëngjesin e së martës nga një atentat i mirëfilltë me tritol, ndaj kreut të Partisë Demokratike në këtë qytet, Bernard Ndreca. Lënda shpërthyese ishte vendosur në pjesën e përparme të automjetit tip ‘Audi’ në pronësi të Ndrecës. Shpërthimi, bëhet me dije se ka ndodhur rreth orës 07:10, në fshatin Paçram, në oborrin e banesës së kryedemokratit të Vaut të Dejës. Aktivizimi i lëndës plasëse ndodhi në momentin kur Bernard Ndrenca sapo kishte hypur në automjet. Fatmirësisht nga shpërthimi, Ndreca nuk ka marrë lëndime, por janë shkaktuar vetëm dëme materiale në automjet.

Ende nuk dihet motivi apo shkaku i kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërkohë që Policia dhe grupi hetimor kanë nisur hetimet, për zbardhjen e ngjarjes.

Njoftimi zyrtar i Policisë:

Vau i Dejës/Informacion paraprak

Rreth orës 07:10, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në pjesën e përparme të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetasit B. N., dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse.

Me marrjen e njoftimit, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.

Nga veprimet e para rezulton se shpërthimi ka ndodhur në momentin që shtetasi B. N. ka hipur në automjet.

Nga shpërthimi, shtetasi B. N. nuk ka pësuar dëmtime, por janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme  materiale.

 

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve./Limit.al