Ballina Aktualitet Elbasan, kërcënuan administratorin e një kompanie për një tender, 3 të arrestuar...

Elbasan, kërcënuan administratorin e një kompanie për një tender, 3 të arrestuar dhe 1 i shpallur në kërkim

Tre persona janë vënë në prangat e Policisë së Elbasanit dhe një tjetër u shpall në kërkim, pasi kanosën dhe kërcënuan administratorin e një kompanie private, për t’u tërhequr nga një tender, të cilin kjo kompani kishte fituar.
Të arrestuar nga uniformat blu janë shtetasit Algert Alcani, 27 vjeç, Edmir Boci, 37 vjeç dhe Shaqir Alcani, 62 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. K., 38 vjeç, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.
Të akuzuar kanosën dhe kërcënuan me jetë shtetasin E. M., administrator i një biznesi me qendër në Cërrik, duke i kërkuar që të tërhiqej nga një procedurë konkurrimi (tender publik), e fituar në bashkinë e Tiranës.
Limit.al mëson se Algert Acani, njëri prej të arrestuarve, mban detyrën si Shef Sektori në bashkinë e Tiranës.

Njoftimi zyrtar i Policisë:
Elbasan
Finalizohet pas një hetimi njëmujor me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Tenderi”.
Operacioni, i zhvilluar nga strukturat hetimore të DVP Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Operacioni ka nisur mbrëmjen e djeshme dhe ka vijuar deri mëngjesin e sotëm.
Shtrënguan me anë të kanosjes, administratorin e një kompanie private, që të tërhiqej nga procedura e konkurrimit për tenderin që kishte fituar kjo kompani, vihen në pranga 3 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.
Specialistët e strukturave hetimore të DVP Elbasan, mbështetur nga inteligjenca informative se disa shtetas kishin kanosur administratorin e një firme në Cërrik dhe vijonin ta shtrëngonin që të tërhiqej nga një procedurë tenderimi që kishte fituar në bashkinë e Tiranës, kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila regjistroi procedimin penal.
Pas një hetimi proaktiv njëmujor, strukturat hetimore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tenderi”.
Në kuadër të këtij operacioni u kapën dhe u ndaluan shtetasit:

E. B., 37 vjeç, A. A. 27 vjeç dhe Sh. A., 62 vjeç, tre banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. K., 38 vjeç, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shtrënguar me anë të kanosjes, shtetasin E. M., administrator i një biznesi me qendër në Cerrik, Elbasan, duke i kërkuar që të tërhiqej nga një procedurë konkurrimi (tender publik), e fituar në bashkinë e Tiranës, nga firma e që ai adminsitronte. Shtetasi E. M. nuk ka pranuar të tërhiqet dhe këta shtetas e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjarët e tij.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti i përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare.

Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme./Limit.al