KOSOVË– Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës Donika Gërvalla ka hedhur poshtë pretendimet për një përçarje me kryeministrin Albin Kurti sa i përket marrëveshjes bazë me Serbinë. Në një intervistë për ”Kosova Press” Gërvalla, e cila njëkohësisht është dhe bashkëkryetare e Listës Guxo shprehet se ajo është pjesë e të gjitha proceseve dhe nuk ka asnjë problem.
(Pjesa kur Donika Gërvalla flet për raportin me Kurtin)
Donika Gërvalla: Të gjitha hapat që i bëjmë edhe në raport me (marrëveshjen) e Brukselit dhe atë të Ohrit dhe në raport me gjitha vendimet që marrim, nuk është sekret që ne kemi një takim të rregullt të udhëheqësve të institucioneve më të larta të shtetit. Pra, kryetarit të Kuvendit, presidencës dhe kryeministrit, në të cilat gjithmonë jam e pranishme edhe unë. Jam pjesë e të gjitha proceseve, përpjekjet janë shumë naive për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme. Qëndrimet janë të Republikës së Kosovës, nuk janë individuale, as të kryeministrit, as të kryetarit të Kuvendit dhe as të ministres. Nuk kam asnjë problem, përkundrazi kam përkrahur kryeministrin në strategjinë e zgjedhur.
Shefja e diplomacisë së Kosovës nënvizoi se koalicioni qeverisës është i konsoliduar dhe i qëndrueshëm dhe se ajo përkrah strategjinë e zgjedhur nga kreu i qeverisë Albin Kurti sa i përket dialogut me Serbinë.
Donika Gërvalla: Janë naive përpjekjet për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme.
Dyshimet për një përçarje mes Donika Gërvalles dhe Albin Kurtit nisën duke parë faktin se Gërvalla pavarësisht se është ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka qenë pjesë as e delegacionit në dialog me Serbinë, e po ashtu nuk ka qenë e pranishme as në takimet kokë më kokë që ka pasur kryeministri Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Po ashtu Gërvalla dhe deputetët e Partisë Guxo që janë në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuar nga Albin Kurti, kanë qenë më të heshtur pas arritjes se marrëveshjes bazë me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të saj, duke mos e komentuar në publik asgjë.