Kënga dhe vallja jonë e bukur tradicionale jehoi për dy ditë me radhë në sheshin e qytetit historik të Pragës.
Nga zemra e Evropës, nën organizimin e Festivalit ndërkombëtar të valleve dhe këngës “Spring Tale”, ansambli i talentuar nga Kosova, prezantoi para qytetarëve të shumtë çekë artin e vallëzimit dhe pasurinë e folklorit tonë kombëtar.
Rrugët piktoreske të Pragës jehuan nga ritmet e muzikës sonë të bukur folklorike krahas shumë kulturave të shteteve të tjera pjesëmarrëse.
Festivali jo konkurrues u zhvillua me pjesëmarrjen e grupit fitues të shumë çmimeve AKV “Kemajl Azizi” nga Vitia, të cilët pas pjesëmarrjes së suksesshme të tyre në festivalet ndërkombëtare në Itali, Bullgari e Hungari ndaluan në Pragë duke krijuar ura të fuqishme bashkëpunimi të cilat do të vazhdojnë të forcohen tutje me pjesëmarrjen e radhës të ansambleve çeke në festivalin folklorik që organizohet në muajin korrik në Kosovë.
Nga Albesjana Iberhysaj/ Ambasadorja e Kosovës në Çeki