Ballina ED/OP Po për viktimat, a po flet kush?

Po për viktimat, a po flet kush?

 

Nga Imer Mushkolaj

Fillimi i gjykimit të ish-krerëve të UÇK’së në Hagë ka rikthyer në Kosovë debatet se kush është “për” e kush “kundër” ushtrisë çlirimtare. Sentimentet politike në masë të madhe e kanë zhvendosur debatin në një fushë me plot sharje e fyerje, ndërkohë që në Gjykatën Speciale zhvillohet betejë ligjore. Kush është patriot e kush tradhtar është risjellë edhe njëherë në skenën publike, një debat i vjetër ky sa edhe vetë përplasjet politike në Kosovë.

Dhe, në gjithë këtë hallakamë, më së paku përmenden viktimat dhe mungesa e drejtësisë për to. Diskursi që mbizotëron sot në vend rrallë i ka në fokus viktimat e luftës dhe të pasluftës. Rrëfimet për to mbyten në përplasjet shpesh të kota e pa pikë dobie.

Ndërkohë, mijëra viktima të luftës presin ende drejtësi. Vrasësit e mijëra viktimave të regjimit gjenocidal të Slobodan Milosheviqit ende nuk janë dënuar. Nuk janë dënuar as autorët e krimit ndaj viktimave të komuniteteve joshqiptare, e as ata të vrasjeve të pasluftës.

Zbardhja e rasteve dhe mosndëshkueshmëria e autorëve vazhdojnë të mbeten barrë mbi shoqërinë. Mbi shoqërinë, e cila ndër vite ka “harruar” të kërkojë drejtësi.

Institucionet e drejtësisë, vendore e ndërkombëtare, kanë bërë pak, fare pak për t’i kapur dhe ndëshkuar autorët e krimeve. Për më keq, institucionet madje nuk ia kanë dalë të përpilojnë një regjistër me të gjitha të dhënat e viktimave në Kosovë. Një institut për hulumtimin e krimeve të luftës është hapur dhe më pas mbyllur pa bërë ndonjë punë të hajrit, ndërkaq politika mjaftohet me homazhe në përvjetorë krimesh dhe fjalë boshe vit pas viti.

* * *

Krime të llahtarshme kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës nga forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe. Shumica dërmuese e autorëve nuk janë dënuar. Krime kanë ndodhur edhe ndaj pjesëtarëve të komuniteteve joshqiptare, gjatë dhe pas luftës. Një episod i errët janë vrasjet e pasluftës të njerëzve që kanë qenë anëtarë ose të afërt me LDK’në, por edhe të qindra ish-ushtarëve të UÇK’së. Krime që s’janë zbardhur po ashtu.

Shteti serb ka pasur plan të qartë dhe të organizuar për vrasjen, shfarosjen e shqiptarëve. Forcat serbe kanë vepruar sipas këtij plani. UÇK’ja nuk ka qenë ushtri e organizuar sikurse ushtritë normale. Ka qenë organizim vullnetar, me një strukturë të caktuar.

Por, gjatë luftës janë vrarë njerëz dhe është marrë përgjegjësia për vrasjen e tyre. Janë konsideruar bashkëpunëtorë të armikut. Të tilla raste nuk janë pak.

Rasti i vrasjes së Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, në tetor të vitit 1998, është ndër më të tmerrshmit. Ata janë marrë nga katër persona të maskuar dhe të veshur me uniformë të UÇK’së. Janë varë pak kilometra nga Bellanica e Malishevës, në afërsi të fshatit Kravasari. Mbi trupat e tyre është vendosur një letër e shkruar me dorë, si “arsye” për krimin e kryer. Përgjegjësinë për vrasjen e tyre e kishte marrë policia ushtarake e UÇK-së, nëpërmjet një komunikate. Në të ishte shkruar se ata ishin “kolaboracionistë të serbëve”.

Një gjykim është mbajtur për këtë rast, por autorët s’janë ndëshkuar. Tash 25 vjet familjarët e tyre presin drejtësi. Jo vetëm që u janë vrarë më të dashurit e tyre, por edhe janë etiketuar, janë njollosur. Sikurse edhe shumë të tjerë.

* * *

Viktimat janë viktima, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, partiake apo ndonjë tjetër. Selektimi nga kushdoqoftë nuk ndihmon, është krim i dytë. Secila dhe secili duhet të ngre zërin që këto krime të zbardhen, duhet bërë thirrje dhe presion mbi institucionet që të punojnë më shumë. Por, së pari nga të gjithë duhet të pranohet që krimet kanë ndodhur dhe viktimat të mos selektohen.

Mbyllja e syve para një realiteti të dhimbshëm nuk ndihmon. As përpjekja për t’i harruar ato që kanë ndodhur. Ndihmon vetëm drejtësia. Deri sa ajo të ndodh, hija e krimeve të pazbardhura do të na ndjek mbrapa, si ankth i një kohe të keqe./Gazetaexpress