Kategoria e Parë, “luftë” pa fitues në Flamurtari-Skënderbeu, në Vlorë “fiton” Dinamo

Ndeshja më e rëndësishme e javës së 22 e Kategorisë së Parë, mes Flamurtarit dhe Skënderbeut u mbyll në barazim pa gola. Në stadiumin e Vlorës u zhvillua një përballje tepër e luftuar nga të dyja skuadrat, por në fund pa ja arritur dot asnjëra të shënonte në portat respektive.

Rastet për shënim ishin të pakta, në një takim i cili u karakterizua nga duele të forta mes lojtarave dhe hera-herës tensionet shoqëruan sfidën.

Ndalesat e shumta për shkak të faulleve, zbehën spektaklin që pritej në fushën e blertë mes dy skuadrave, që pretendojnë të jenë pjesë e elitës në edicionin e ardhshëm.

Në fund gjithçka mbyllet 0-0 dhe ekipet ndajnë pikën. Korçarët ruajnë vendin e parë me 42 pikë, ndërsa vlonjatët renditen në të tretin me 39 pikë.

Ndërkohë ky rezultat kënaq më shumë Dinamon, që renditet i dyti me 40 pikë dhe do të zhvillojë të dielën ndeshjen e javës ndaj Turbinës së Cërrikut.

Gjithashtu në Lezhë u zhvillua takimi mes Besëlidhjes dhe Tomorit. Triumfues dolën beratasit me rezultatin 0-1, me golin e vetëm të ndeshjes të realizuar nga Serxhio Emini, në minutën e 73./Limit.al