“Diaspora e vjetër” përbëhet nga emigrantë që kanë emigruar para viteve ‘90, ndërsa “diaspora e re” përbëhet nga emigrantët që kanë emigruar pas këtyre viteve. Diaspora e vjetër ka qenë e vendosur kryesisht në SHBA dhe disa vende të Europës Perëndimore, ndërsa diaspora e re është vendosur në Greqi, Itali, SHBA, Britani e Madhe etj., dhe më pak në vendet të diasporës së vjetër. Migrimi i shqiptarëve jashtë vendit nuk është një dukuri e re. Ajo është e dokumentuar të paktën që në shekujt e XV dhe të XVI me largimin e një mase të madhe banorësh të trevave shqiptare, veçanërisht nga jugu i vendit, pas pushtimit të Gadishullit Ballkanik nga Perandoria Osmane dhe vdekjes së Skënderbeut.

Rezultat i këtyre valëve migratore ishte krijimi i ngulimeve të rëndësishme shqiptare në Italinë e Jugut, Greqi, në bregdetin e Dalmacisë e gjetkë. Modeli më i spikatur është komuniteti arbëresh i vendosur në Sicili e Kalabri. Gjatë shekujve që pasuan, deri në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, në vitin 1912, proceset migratore vazhduan në formën e lëvizjeve “të brendshme” nga trevat shqiptare në rajone të tjera të Perandorisë Osmane ose në vende fqinje, të cilat, me kalimin e kohës, fituan autonomi apo pavarësi nga Porta e Lartë. Këtyre lëvizjeve u detyrohet krijimi dhe konsolidimi i komuniteteve relativisht të rëndësishme shqiptare në rajonet e Turqisë së sotme, në Egjipt, Siri, Bullgari, Rumani e në ndonjë vend tjetër. Periudha që nis me fillimin e shekullit XX dhe, në veçanti, me formimin e shtetit shqiptar solli një ndryshim të rrugëve të emigrimit. Emigrimi drejt Turqisë vazhdoi përsëri, kryesisht për hir të lidhjeve që ekzistonin me ata që qenë vendosur atje, por tani ky vend, me problemet e shumëllojta që solli rënia e Perandorisë, nuk përbënte më një truall të parapëlqyer për emigrim. Prandaj shqiptarët u orientuan kryesisht drejt ShBA-së, Argjentinës, Australisë dhe në një numër më të kufizuar edhe në ndonjë vend europian (Francë, Austri, Itali).

Një kontingjent të veçantë përbënte emigracioni politik, i larguar nga Shqipëria si rezultat i qëndrimit dhe veprimtarisë kundërshtuese ndaj regjimit të Zogut dhe pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Në harkun kohor 1945-1990, u shënua një shuarje thuajse e plotë e dukurive emigruese. Emigracioni u rishfaq në Shqipëri në korrik 1990. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit, nga vendi u largua në emigracion rreth 25% e popullsisë totale ose rreth 35% e popullsisë aktive. Përgjithësisht prirja e emigrantëve shqiptarë me kalimin e viteve është orientuar drejt vendeve më të zhvilluara të Europës Perëndimore (Itali, Gjermani, Holandë, vendet e Skandinavisë, Britani e Madhe etj.), si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë. Shtrirja gjeografike e emigracionit shqiptar në vendet pritëse është diktuar nga kërkesat e tregut të punës. Në Greqi dhe Itali, për shembull, emigrantët shqiptarë gjenden të përhapur kudo në territoret e këtyre shteteve, natyrisht me një përqendrim më të madh në qytetet kryesore./ UFT.al