Baba i tre vajzave, gazetari i njohur: “Pengu im i vetëm është që nuk ju lashë pasuri”

Në një intervistë për “Jo Vetëm Modë” këtë të Shtunë, kemi njohur një tjetër dimension të gazetarit të njohur sportiv Defrim Methasani. Si baba i 3 vajzave, ai thotë se pengu i tij i vetëm është se ndoshta nuk u ka përmbushur çdo gjë ato kanë merituar.

E teksa flet për përpjekjet e tij për t’u siguruar çdo gjë vajzat e tij kishin nevojë, Methasani ndihet krenar për arritjet e secilës.

“Pengu im i vetëm ndoshta se nuk mund t’u kem dhënë gjithçka fëmijët meritojnë sepse mund të isha ndoshta më i pasur, për t’ju dhënë më shumë pasuri. Për t’ju dhënë shtëpi, makina, por jam përpjekur që me atë përkushtimin tim modest mos t’i lej mangut në jetë. Mos të jenë larg të tjerëve, të jenë një e mesme e artë. Edhe Blerta bën shumë gjeste humane, natyrisht dhe unë jam rritur me këtë edukatë, duke ndihmua të varfrit me ato pak gjëra që mund të kem mundësi ose me miqtë.

Luna, vajza e madhe ngjan me mua, në shkollim, në arsimim në faktin që pak a shumë zgjodhi rrugën e sportit meqë punon tek Komiteti Olimpik Shqiptar. Natyrisht edhe sot është pjesë e këtij rrugëtimi, e ka përfaqësuar Shqipërinë në shumë lojëra olimpike. E dyta është shumë e shkathët, Blerta shumë e përkushtuar për veten dhe familjen. Individualitetin e saj e ka kthyer në institucion saqë unë kur shkoj nëpër rrethe ose diku më thonë: babi i Blertës.

Rina është një dashuri më vete, më e vogla, aty duket se janë mbledhur të gjitha ndjesitë e kësaj bote. Emeriton përkedhëljen, përkushtimin tim dhe nënës së saj, është jo vetëm e bukur por ëhstë dhe vajzë besimtare, zbaton ritet duke plotësuar me dinjitet cilësitë më të mira që mund të ketë një vajzë, një grua ose një femër. Është pasuria më e madhe në jetë për çdo njeri, shëndeti, të tjerat pastaj bëhen. Ditëlindjet jo vetëm që ua bëj, por të ndryshme. Çfarë bëj këtë vit, nuk dua ta përsëris vitin tjetër, për vitin e ri ose çdo festë, secilës i bëj dhuratë dhe me çmime të ndryshme. E madhja ka më shumë, e dyta ka 70% dhe e treta 50%“, tha gazetari./tvklan.al