RENEA “zbarkon” në Elbasan, kontrolle “blic” për kapjen e Suel Çelës, disa të shoqëruar

Forcat speciale RENEA në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, zbarkuan pasditen e së premtes në qytetin e Elbasanit.

Operacioni i RENEA-s kishte si synim kapjen e të shumëkërkuarit Suel Çela. Kontrollet u kryen në disa lokacione të ndryshme, përfshirë edhe tregun agro-ushqimor të qytetit, i cili është në pronësi të familjes Çela.

Operacioni u krye me urdhër të Prokurorisë së Posaçme SPAK, e cila ka lëshuar një urdhër-arresti për Suel Çelën, pasi ai akuzohet për porositjen e disa vrasjeve dhe veprave të ndryshme kriminale. Sipas informacioneve, mësohet se në kuadër të këtij operacioni, janë shoqëruar në Komisariat të paktën 4 persona, identiteti i tyre i cili nuk bëhet i ditur.

Suel Çela u shpall në kërkim policor, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, i finalizuar nga SPAK, mbi bazën e dëshmive të Nuredin Dumanit.

Bashkëpunëtori i drejtësisë  ka dëshmuar se Suel Çela është porositës i tri ngjarjeve kriminale.

Edhe më herët, forcat RENEA kanë ushtruar kontrolle në tregun agro-ushqimor në qytetin e Elbasanit, ku në vitin 2017 u përplas makina e ish-Shefit të Policisë, Gjergj Oshafi./Limit.al