KOSOVË– Kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi kanë pritur në ambientet e selisë së qeverisë këtë të premte ambasadorët dhe zëvendësambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Lajmin për mediat e ka bërë me dije zyra e shtypit e Kurtit, e cila ka ndarë dhe foton nga takimi në sallën e pritjes së delegacioneve.
Raportohet se në këtë takim është diskutuar për zbatimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi, të nënshkruar më 18 mars në Ohër, si dhe, për takimin e ekipeve teknike që u mbajtë në Bruksel, më 4 prill.
“Në takim u diskutua për procesin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike me Serbinë dhe Planin e Zbatimit të adoptuar me 18 mars ndërmjet të dyja shteteve. Kryeministri Kurti dhe zv.Kryeministri Bislimi informuan përfaqësuesit diplomatikë mbi rezultatet e takimit të fundit në Bruksel me 4 prill, dhe pritjet e tij nga ky proces në javët dhe muajt në vazhdim”, njofton zyra e Kurtit.
Më tej thuhet se në këtë takim, partnerët perëndimorë shprehen përkushtimin në zbatimin e marrëveshjes dhe kërkuan që të procesi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Evroprës dhe aplikimi i saj në Bashkimin Evropian, të bëhen sa më shpejt.
“Ata shprehën përkushtimin e tyre të plotë për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes. Kërkuan gjithashtu që procesi i anëtarësimit të Republikës se Kosovës në Këshillin e Evropës dhe pranimi i aplikimit të Republikës së Kosovës në BE të procedohet me shpejtësi si dy veprime fillestare të partnerëve tanë, që do të duhej të derivojnë nga dakordimi rreth Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të zbatimit të saj”, mbyll njoftimin e saj sqarues zyra e kreut të qeverisë së Kosovës./Limit.al