Ballina Kryesore ‘Iu hap rrugë zhdukjes së kombit’/ Abazoviç i përgjigjet ‘flakë për...

‘Iu hap rrugë zhdukjes së kombit’/ Abazoviç i përgjigjet ‘flakë për flakë’ Kurtit: Fli i qetë! Presidenti ‘pro-europian’

MALI I ZI– Zgjedhja e presidentit të ri malazez duket se ka hapur debate mes kryeministrit në detyrë Dritan Abazoviç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit pas deklaratës së këtij të fundit se me zgjedhjen e Jakov Millatoviqit si president Malit të Zi do t’i hapet rruga për zhdukjen e kombit malazezas. I ashpër dhe i prerë ishte në qëndrimi i Abazoviç, i cili thotë se askush nuk duhet të brengoset për të ardhmen e vendit të tij por se secili duhet të shikojë problemet në shtëpinë e tij.

Dritan Abazoviç: Unë kam një respekt të jashtëzakonshëm për kryeministrin e Kosovës, por mendoj që gjithkush ka problemet edhe në shtëpi të vet. Për Mal të Zi nuk ka nevojë me u brengos kërkush, përveç nesh. Unë nuk kam qejf me kriju një keqkuptim, por mendoj që çdokush mundet me fjet rehat sa i takon Malit të Zi. Mali i Zi për dy vite është duke bërë vetëm rezultate të mira, është duke shku në drejtim të duhur edhe sa i takon sundimit të ligjit, drejtësisë dhe ekonomisë. Nëse ne flemë mirë në Mal të Zi, atëherë nuk ka nevojë askush që të jetë i brengosur në rajon. Ne jemi një shtet shumë paqësor dhe do të mundohemi edhe në të ardhmen të merremi me këto çështje.

Në pyetjen rreth akuzave se presidenti i ri malazezas është pro-serb dhe pro-rus, Abazoviç deklaroi se është i gëzuar për fitoren e Millatoviqit. Sipas kryeministrit në detyrë ai është një “profil pro-evropian”. Abazoviç u shpreh se Kosova dhe Mali I Zi do të kenë raporte të mira dhe korrekte nën drejtimin e presidencës së Millatoviqit.

Dritan Abazoviç: Presidenti i ri i Malit të Zi është një profil pro-evropian. Unë jam shumë i gëzuar që i ka fituar zgjedhjet, shpresoj që ka përfunduar një erë e nëntëdhjetave, e cila ka qenë në Mal të Zi dhe mendoj që në të ardhmen kemi me pasur një politikë shumë më të relaksuar dhe me hapa shumë më të shpejt do të shkojmë drejt integrimit evropian. Mendoj që nuk do të ndërrohet raporti me Kosovën. Raportet me Kosovën janë shumë mirë, shumë në rregull, qeveritë bashkëpunojnë ngushtë. Jam i bindur që edhe presidenti do të bashkëpunojë me të njëjtin vullnet./Limit.al