Ballina Shëndet Pilulat kontraceptive, çfarë janë dhe pse përdoren?

Pilulat kontraceptive, çfarë janë dhe pse përdoren?

Çfarë janë pilulat kontraceptive?

Pilulat kontraceptive janë një lloj medikamenti që femrat mund ta marrin në mënyrë ditore për të parandaluar shtatzaninë. Njhen me emra të ndryshëm: kontraceptivët oralë ose edhe thjesht pilula.

Si veprojnë kontraceptivët oralë?                                                              

Kontraceptivët oralë përbëhen nga hormone. Hormonet janë përbërës kimikë të prodhuar nga vetë trupi i njeriut dhe kontrollojnë mënyrën se si funksionojnë pjesë të ndryshme të trupit.

Disa pilula kontraceptive përmbajnë 2 hormone – estrogjen dhe progesteron. Këto lloj pilulash quhen kontraceptivë oralë të kombinuar. Disa pilula kontraceptive përmbajnë vetëm progesteron. Shumica e femrave përdorin kontraceptivë oralë të kombinuar.

Efektet e hormoneve të pilulave kontraceptive janë:

  • Frenojnë ovulacionin. Nuk mund të ndodhë shtatzania nqs nuk ndodh ovulacioni.
  • E bëjnë mukusin cervical më të viskoz duke bërë kështu të pamundur penetrimin e spermatozoideve në kavitetin uterin.

Sa efikase janë pilulat kontraceptive?

Efikasiteti është një nga kriteret më të rëndësishme mbi të cilat ne bazohemi në zgjedhjen e kontraceptivëve.

Pilulat kontraceptive janë shumë efikase. Kontraceptivët e kombinuar janë shumë efikasë n.q.s merren cdo ditë dhe mundësisht në të njëjtën orë. Kjo do të mbante nivelet e duhura të hormoneve në trupin e femrës.

Efikasiteti i lartë i kontraceptivëve oralë duket qartë nga krahasimi i fakteve të mëposhtëm:

  •  Më pak se 1% e femrave që marrin kontraceptivë ne mënyrë të rregullt (cdo ditë) për 12 muaj do te mbeten shtatzanë.
  • Rreth 90% e femrave që nuk marrin kontraceptivë oralë ose që nuk i marrin ato ne mënyrë të rregullt (çdo ditë) për 12 muaj do te mbeten shtatzanë.

Sa të sigurta janë për shëndetin kontraceptivët oralë?

Shumica e femrave që marrin kontraceptivë nuk duan të pësojnë asnjë efekt anësor apo komplikacion. Megjithatë si çdo medikament, edhe kontraceptivët kanë disa rreziqe apo efekte anësore.

Nuk duhet të merren kontraceptivët oralë nqs:

  • Jeni shtatzanë.
  • Keni migrenë.
  • Crregullime të trashëgueshme në koagulimin e gjakut.
  •  Keni qenë diagnostikuar me kancer gjiri. Këtu duhet kuptuar qartë. Kontraceptivët oralë nuk e rrisin rrezikun për kancer gjiri, por nuk duhet të merren pasi është instaluar kanceri i gjirit pasi përshpejtojnë ecurinë e tij.
  • Keni kaluar dhe jeni mjekuar për tromboza, tromboemboli apo tromboflebite.
  •  Keni kaluar infartk të miokardit (zemrës), iktus (ishemi apo hemorragji cerebrale) apo probleme të tjera të zemrës.
  •  Keni tension të lartë të gjakut
  •  Keni lupus eritematoz.
  •  Keni sëmundje të mëlçisë.
  •  Keni diabet.
  •  Nqs pini duhan dhe jeni më shumë se 35 vjeçe.

Cilat janë përfitimet që vijnë nga përdorimi i kontracetivëve oralë?

Pilula është e sigurtë, e thjeshtë për tu marrë, dhe e përshtatshme. Nuk interferon me aktivitetin seksual.

Kontraceptivët përveçse për kontracepsion, mund të përdoren edhe për arsye të tjera:

  • Reduktojnë dhimbjet menstruale.
  • Reduktojnë fluksin menstrual.
  • Reduktojnë rrezikun për sëmundje inflamatore pelvike.

Gjithashtu kanë edhe efekte të tjera pozitive:

  •  Kundër akneve.
  • Kundër osteoporozës.
  •  Kundër problemeve të ndryshme të gjirit (fibro-adenomave etj).
  • Reduktojnë rrezikun për kancer endometrial apo kancer të ovareve (vezoreve).
  • Reduktojnë aneminë e shkaktuar nga menstruacionet e crregullta dhe të bollshme.

Pilulat kontraceptive të kombinuara mund të përdoren për të kontrolluar se kur dhe sa shpesh ju i keni menstruacionet duke marrë pilula për më tepër se 21 ditë. Në momentin që ju do ti ndërprisni pilulat, disa ditë pas ndërprerjes do të vijnë menstruacionet (nuk ka rëndësi nëse i keni marrë pilulat për 21 apo për 30 ditë).

Marrja e kontraceptivëve mund të shoqërohet me ndonjë hemoragji të lehtë (spoting, njolla) në 6 muajt e parë të përdorimit. Një gjë e tillë është e parëndësishme dhe nuk duhet të ndërprisni marrjen e kontraceptivit.

Cilat janë dizavantazhet e kontraceptivëve oralë?

Pavarësisht se shumica dërrmuese e femrave nuk ankojnë ndonjë efekt të padëshiruar dhe nuk pësojnë asnjë komplikacion nga përdorimi i pilulave, disa prej tyre mund të përjetojnë efekte të ndryshme anësore. Këto efekte mund të jenë:

  •  Spoting intermenstrual
  •  Dhimbje gjoksi
  •  Nauze dhe të vjella

Në rast se përjetohen këto efekte anësore, kjo nuk do të thotë që pilula duhet të ndërpritet, pasi rrezikohet shtatzania. Nqs këto efekte anësore vazhdojnë për më shumë se 3 muaj, atëherë kontraceptivi duhet të ndërrohet.

Brenda 2 muajve nga ndalimi i pilulës, cikli do të rimarrë karakteristikat që pa patur më përpara.