Ballina Personazh A do të lërë aplikacioni i saj mijëra njerëz pa punë? Shqiptarja...

A do të lërë aplikacioni i saj mijëra njerëz pa punë? Shqiptarja Mira Murati flet për prestigjozen italiane

Nëse keni “lundruar” në internet së fundmi, me siguri keni ndeshur të paktën njëherë emrin e Mira Muratit, shqiptares e cila ka krijuar ChatGpt, një aplikacion (robot) inteligjent i cili imiton bisedën mes njerëzve.

Që kur kompania e teknologjisë OpenAi njoftoi për këtë inteligjencë artificiale, mijëra përdorues nisën të futeshin në aplikacion, i cili nga një anë është parë si fundi i Google, e nga ana tjetër si një risi revolucionare që do të ndryshojë totalisht mënyrën se si përdorim internetin. Mbrapa këtij aplikacioni që ka marrë përmasa gjigante, qëndron Mira Murati, e cila së fundmi ka dhënë një intervistë për prestigjozen “La Repubblica”.

Shefja e Teknologjisë  ka treguar ndër të tjera se prindërit e saj jetojnë në Itali dhe ajo e ka mësuar gjuhën italiane përmes televizionit, si të gjithë shqiptarët.

Murati ka folur për “Garante”, (Autoriteti Italian i Mbrojtjes së të Dhënave), që ka bllokuar së fundmi aplikacionin në fjalë në Itali. Kjo pasi sipas këtij autoriteti, aplikacioni cenonte të dhënat e qytetarëve italianë. Inxhinierja 34 vjeçare me origjinë shqiptare rrëfeu se kjo ishte një surprizë për kompaninë e saj, pasi më herët nuk kishin marrë asnjë mesazh nga ky autoritet.

“Ne respektojmë ligjet evropiane për të dhënat personale, por jemi të hapur për dialog me Autoritetin dhe shpresojmë që së shpejti të rikthejmë shërbimin në Itali. Nga sa lexova, opinioni publik është me ne,” thotë Mira.

“Ne besojmë se shërbimet tona janë në përputhje me Autoritetin dhe ne punojmë në mënyrë aktive për të reduktuar të dhënat personale në trajnimin ChatGpt. Është e rëndësishme që këto sisteme të mësojnë konceptet që ne njohim, si teksti ose videot, por jo domosdoshmërisht informacione për individët privatë,” shprehet ajo.

Murati ka thënë se nga ato që ka lexuar, dukshëm opinioni publik në Itali është në favor të ChatGpt.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ligjvënësit dhe qeveritë, në Evropë dhe në mbarë botën, për të kuptuar sesi teknologjia duhet të evoluojë nga pikëpamja rregullatore. Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë në vendet e tjera, por shpresoj që nëse disa qeveri kanë shqetësime ata do të jenë të hapur për dialog në vend që të na mbyllin”.

Pjesë nga intervista në La Repubblica:

Një letër e nënshkruar nga shumë intelektualë dhe sipërmarrës të teknologjisë, përfshirë Elon Musk, ju kërkon të ndaloni trajnimin e inteligjencës artificiale për të paktën gjashtë muaj, nga frika se teknologjia do të dalë jashtë kontrollit të vetë krijuesve. A do të ndaloni?

“Ne po diskutojmë premtimet dhe rreziqet e inteligjencës artificiale me grupe dhe organe të ndryshme qeveritare për vite me radhë. Edhe ne jemi të shqetësuar për rrezikun e një përshpejtimi të teknologjisë”.

Shumë kanë frikë se ChatGpt do të ketë ndikime që mund të kërcënojnë stabilitetin e demokracive tona, për shembull duke eliminuar miliona vende pune. Si e shihni këtë?

“Inteligjenca artificiale do të transformojë strukturën e realitetit tonë dhe të shoqërisë sonë. Sot përdoret kryesisht si një mbështetje, si një asistent që përmirëson punën e dikujt. Por si teknologjitë e tjera të përgjithshme pres që të ndryshojë natyrën e disa punëve: ndoshta do të krijojë vende pune të reja, të cilat nuk i imagjinojmë dot, të tjerat do të ndryshojnë./limit.al

Burimi: Repubblica.it