Si të dalloni kur pyetjet personale në një intervistë pune e kalojnë kufirin

Në një intervistë pune, shumëkush mund të pyetet për të treguar për një rast kur janë përballur me stres në punë, ose për pikat e tyre të forta.

Por, një pyetje gjatë një interviste pune, tronditi një kandidate aq shumë, sa ajo e ndau atë në mediat sociale.

“Si mendoni se ju ka ecur jeta deri tani?” Kjo ishte pyetja që iu bë Salem Pierce, si pjesë e aplikimit të saj për një pozicion drejtues të dizajnit vizual.

Procesi i aplikimit kërkonte gjithashtu që ajo të regjistronte një përgjigje të shkurtër video, 2-5 minuta.

Pierce e përshkroi kërkesën si një “nivel të ri të ferrit të aplikimit për punë” dhe shumë të tjerë në internet ranë dakord.

Ideja që menaxherët e punësimit t’u kërkonin kandidatëve të përgatisnin një video, dhe për më tepër të bënin një pyetje të tillë personale, nuk u pëlqeu shumë njerëzve.

Një numër i përdoruesve të Twitter ishin gjithashtu të shqetësuar, se pyetja është personale dhe diskriminuese.

Një përdorues komentoi se pyetja dukej si një “mënyrë e poshtër për të kontrolluar njerëzit që kanë pasur vështirësi”.

Komente nga më të ndryshmet janë bërë nga lexues nëpër mediat sociale.

Dikush përdori satirën dhe komentoi: “Unë thjesht do t’u dërgoja email-in e terapistes sime.”

Pavarësisht konsensusit të përgjithshëm se pyetja është e papërshtatshme, një numër i vogël njerëzish e mirëpritën mundësinë për t’u hapur për jetën e tyre të deritanishme, si dhe për të shpjeguar çdo boshllëk në CV-në e tyre.

“Kjo është interesante. Ndonjëherë do të doja të kisha mundësinë të shpjegoja për vështirësitë e mia në jetë. Personalisht, mendoj se do ta përdorja këtë pyetje për të shpjeguar pse trajektorja ime e karrierës duket ashtu si duket. Por, nuk e di cili është qëllimi i kësajp pyetje nga ana e intervistuesve,” shkroi një person.

A e kalojnë kufirin pyetje të tilla personale?

Punëkërkuesit presin që t’u bëhen disa pyetje personale, por koha dhe formulimi janë shumë të rëndësishme, për ta mbajtur rrjedhën e intervistës në mënyrë profesionale, thonë rekrutuesit.

“Unë e kuptoj pse u bë pyetja, pasi mendoj se kapërcimi i pengesave, e formëson një person dhe mund t’ju bëjë më të fortë, më të zgjuar dhe vërtetë të rriteni,” thotë Victoria Naughton, një bashkëpunëtore e vjetër në u&u Recruitment Partners.

Por, ajo paralajmëron punëdhënësit, se një informacion i tillë, nuk është i përshtatshëm për t’u kërkuar në një fazë të hershme të një interviste, para se të takohen personalisht me kandidatin.

“Aplikimet për punë duhet të bazohen në aftësi. Çdo gjë tjetër përveç kësaj mund të lërë hapësirë për diskriminim dhe paragjykim. Dhe ky është pikërisht një shembull diskriminimi,” pajtohet Zahra Amiry, drejtuese në Omnicom Media Group.

Pyetjet personale vërtet mund të bëhen më vonë në një intervistë, por ajo paralajmëron se ato duhet të jenë “profesionale dhe joinvazive” për të shmangur kalimin e kufirit.

Amiry sugjeron të mbështeteni në pyetje klasike si “Si do ta kapërceni një sfidë?” ose “Më trego për diçka që ke arritur dhe për të cilën je krenar?” sepse ato u mundësojnë kandidatëve të “jenë të sinqertë dhe të tregojnë diçka nga përvoja personale, nëse dëshirojnë”.

Si mund t’i shmangim pyetjet personale dhe kompanitë toksike

Pavarësisht nëse një punëdhënës bën një pyetje personale, këto gjëra mund të ndodhin. Dhe kufiri midis asaj që është fyese dhe e pranueshme në një intervistë, është krejtësisht subjektiv.

Pra, në vend që të shqetësoheni nga një pyetje, fillimisht merrni frymë.

“Këshilla ime më e madhe në çdo intervistë, është gjithmonë të marrësh disa sekonda para çdo pyetjeje, për të formuluar një përgjigje,” thotë Amiry.

Në këtë mënyrë mund të mendoni, nëse pyetja ju bën të ndiheni rehat, si mund t’i përgjigjeni asaj në një mënyrë që ta kthejë bisedën në avantazhin tuaj?

Por, nëse pyetja është tejet e papërshtatshme, atëherë mos harroni se nuk jeni vetëm ju në pozicion delikat: po aq sa një punëdhënës po ju gjykon, po aq edhe ju jeni në pozitën për të gjykuar nëse vendi i punës dhe kompania janë të duhura për ju.

“Një intervistë është një dritare në kulturën e kompanisë,” shton Amiry. “Kështu që mbani mend, nëse intervista nuk shkon mirë, mund të ketë një rol tjetër diku tjetër që është më i përshtatshëm për ju.” / Fortune