Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka rritur pagën minimale nga 18.000 në 20.175 denarë apo në rreth 330 euro, ndërsa nga muaji prill do të rriten edhe pensionet për 8.4 për qind.
Rrogën minimale kryesisht e marrin të punësuarit në industrinë e tekstilit, konfeksionit dhe lëkurës. Ky sektor përfshin rreth 35.000 punëtorë që përbëjnë rreth 32 për qind të të gjithë punonjësve në sektorin e prodhimtarisë ose rreth 6.7 për qind të numrit të përgjithshëm të punonjësve në Maqedoninë e Veriut.
Rroga mesatare, bazuar në të dhënat e Entit të Statistikës, ka arritur në rreth 33.000 denarë apo në 550 euro.
Por, pavarësisht rritjes së pagës minimale dhe asaj mesatare, rritja e çmimeve të produkteve ushqimore i ka humbur vlerën të ardhurave mujore.
Punëtorët: Rritja e pagës minimale për 2.000 denarë, nënçmim
Kristina Ampeva, punëtore e tekstilit dhe përfaqësuese e organizatës joqeveritare “Zëri i tekstilit”, thotë se rritja e pagës minimale për 20.000 denarë, në kushte të rritjes së madhe të çmimeve të prodhimeve ushqimore dhe të shërbimeve tjera, është e papërfillshme dhe nënçmuese për punëtorët e tekstilit.
Ajo argumenton se masat e Qeverisë janë të vonuara, pasi punëtorët në Maqedoninë e Veriut, sipas saj, tashmë po ikin nga vendi në kërkim të një jete më me dinjitet.
“Paga minimale prej 20.000 denarëve nuk do të thotë asgjë. Ata thonë se ja arritëm të bëjnë një ngritje të pagës, se me këtë janë pajtuar edhe sindikatat, se është një e arritur e madhe, e s’di çfarë tjetër thonë. Por, nëse shihet shpenzimet në jetën e përditshme, rritja e çmimeve, inflacioni që ka marrë përmasa shqetësuese, një paga e këtillë nuk përmbush as për së afërmi nevojat më elementare për jetë”, thotë Ampeva.
Ahmet Durmishi, pensionist, thotë se pavarësisht masave që po ndërmerren, në Maqedoninë e Veriut nuk ka perspektivë, andaj sipas tij çdo ditë po rritet numri i atyre që po largohen nga ky shtet.
“Këtu nuk ka perspektivë. Pensionin që marrim e shpenzojmë për dhjetë ditë. Pensionet duhet të jenë shumë më të larta, rreth 600-700 euro. Marrim 100 euro pension, çfarë të bëjmë me këtë që marrim. Problemi është te çmimet dhe asnjëherë nuk do të ulen ashtu siç kanë qenë”, thotë ai.
Organizata e punëdhënësve thotë se ka mungesë punëtorësh
Organizata e punëdhënësve nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por rritja sipas kësaj organizate, nuk është në përputhje me përvojat e Bashkimit Evropian.
“Me rekomandimet e Bashkimit Evropian parashihet që paga minimale duhet të jetë në vlerën e 50 për qind të pagës mesatare, por te ne kjo tani arrin në 60 për qind dhe kjo na sjellë në një situatë që një numër i madh i punëtorëve të kenë pagë thuajse minimale apo shumë pranë minimales. Kjo i vendos këta punëtorë në një situatë të pavolitshme, pasi të ardhurat e tyre nuk korrespondojnë me zhvillimet ekonomike, por edhe me politikat e Qeverisë për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë”, thotë Angel Dimitrov nga organizata e punëdhënësve.
Ai thotë se mungesa e punëtorëve është problem serioz, andaj bizneset duhet të mbajnë llogari për mbajtjen e punëtorëve duke i nxitur me rritje të pagave dhe masa tjera stimuluese.
“Jemi të vetëdijshëm që kemi problem me mungesën e punëtorëve, duhet t’i shpërblejmë sa më shumë punëtorët. Qeveria donte të stimulonte rritjen e pagave dhe filloi të rriste ndjeshëm pagën minimale. Ky ishte presion i mirë ndaj punëdhënësve për të rritur pagat dhe kjo është arsyeja pse paga mesatare u rrit. Inflacioni këtë vit ndihmoi që rritja të ishte më e lartë. Kjo ndikoi në rritjen e të gjitha pagave”, thotë Dimitrov.
Qeveria: Kemi mungesë të rreth 10.000 punëtorëve në vit
Se Maqedonia e Veriut ka probleme me fuqinë punëtore e konfirmon edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi. Pavarësisht rritjes së pagës minimale, por edhe asaj mesatare, Maqedonia e Veriut, sipas tij ka nevojë për 10.000 punëtorë në vit.
Sektori i ndërtimit, hotelerisë dhe turizmit është më i rrezikuari sepse shumica e punëtorëve nga këto biznese, sipas Bytyqit, shkojnë në vendet ku ka paga shumë më të larta dhe kushte më të mira për punë.
“Ata po ikin për paga mesatare më të larta. Paga mesatare në vendin tonë ka arritur në 550 euro, paga ku punëtorët tanë shkojnë të punojnë është 1.100 euro dhe mesatarja e pagave në vendet e atyre që besojmë se do të vijnë të punojnë te ne është 200 euro. Është një cikël natyror i lëvizjes së fuqisë punëtore”, thotë Bytyqi.
Nga Qeveria maqedonase thonë se prioritet në tërheqjen e punëtorëve nga shtetet tjera do t’i jepet sektorit të ndërtimtarisë, minierave, por edhe hotelerisë, ku mungesa e fuqisë punëtore është më e madhe./ REL