Këtë javë, ligjvënësit amerikanë përgatiten të hedhin një hap të rëndësishëm përpara drejt shfuqizimit të një autorizimi të pushtetit presidencial për luftë, që ka ekzistuar për disa dekada.
Mediat vendase e përshkruajnë këtë si një përpjekje për të rivendosur autoritetin në Kongres e cila po fiton gjithmonë e më shumë mbështetje.
Sinjali i parë i drejtpërdrejtë erdhi para disa ditësh nga lideri I shumicës në senat, Chuck Schumer i cili tregoi se në këtë pikë, duhet të ketë dakordësi mes të dyja palëve.
“Si demokratët dhe republikanët kanë arritur në të njëjtin përfundim: ne duhet ta lëmë pas nesh luftën në Irak njëherë e përgjithmonë. Dhe për këtë, duhet të shfuqizojmë autoritetin ligjor që nisi luftën“, tha ai.
Vitet e fundit ka pasur disa përpjekje për të shfuqizuar Autorizimet e vitit 2001 dhe 2002 për Përdorimin e Forcës Ushtarake, të miratuara pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, duke u dhënë presidentëve amerikanë kompetenca të gjera për të kryer operacione ushtarake, pa të drejtën kushtetuese të Kongresit për miratim.
Deri më sot, çdo përpjekje ka dështuar mes kritikave se shfuqizimi i këtyre autorizimeve rrezikon sigurinë kombëtare të SHBA dhe forcat amerikane jashtë vendit.
Në vitin 2014, presidenti demokrat Barack Obama përdori autorizimin për të justifikuar sulmet ajrore pa miratimin e Kongresit kundër militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, ndërsa në 2020, presidenti republikan Donald Trump përdori të njëjtin autorizim për të justifikuar sulmin ajror që vrau gjeneralin iranian Qassim Suleimani në Irak.
Një numër i madh ligjvënësish amerikanë mbështesin tani legjislacionin, me argumentin se Kongresi ka neglizhuar përgjegjësitë e tij kushtetuese për dekada me radhë.