Në G-20, pritshmëri të larta për Indinë si fuqi globale në rritje

Me takimin e ministrave të jashtëm të Grupit të 20 ekonomive kryesore të enjten në Nju Delhi, India mikpritëse po e promovon veten si një superfuqi në rritje, ndërkohë që shfrytëzon pozicionin e saj në skenën globale për të kapërcyer hendekun midis Perëndimit dhe Rusisë.

Ekspertët presin që India të jetë në qendër të ndasive të hidhura globale, veçanërisht në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë. Por është gjithashtu një mundësi për vendin e Azisë Jugore që të pozicionohet si zëri i Jugut Global dhe si një ndërmjetës i mundshëm midis Perëndimit dhe Moskës.

India pritet të mbajë një qëndrim neutral ndaj Ukrainës, siç ka bërë në të kaluarën. Takimi I G-20 ka të ngjarë të eklipsohet nga lufta në Evropë dhe ndikimi i saj në energjinë globale dhe sigurinë ushqimore. Megjithatë, zyrtarë të lartë të ministrisë së jashtme thanë të mërkurën se India ishte e vendosur të fokusohej në çështjet “po aq të rëndësishme” të rritjes së inflacionit, borxhit, shëndetit, ndryshimeve klimatike dhe sigurisë ushqimore dhe energjitike në vendet në zhvillim.

“Unë me të vërtetë besoj se India ka shansin më të mirë nga të gjitha vendet që të përpiqet të zhvillojë negociata paqeje midis Rusisë dhe jo vetëm SHBA-së, por edhe Perëndimit”, tha Derek Grossman, një analist i çështjeve të Indo-Paqësorin në Korporatën RAND.

Ai vlerëson mos-angazhimin e Indisë dhe ngritjen e saj si një fuqi globale si arsyen që ajo të jetë një paqebërëse e mundëshme.

Por vendi i Azisë Jugore ka sfidat e veta, veçanërisht me rivalin rajonal, Kinën. Tensionet midis Nju Delhit dhe Pekinit mbeten të larta pas një përplasjeje vdekjeprurëse kufitare në vitin 2020.

Të mërkurën, zëdhënësja i Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning tha se ministri i jashtëm kinez do të marrë pjesë në takimin e G-20 dhe se “Kina i kushton rëndësi të madhe Indisë”. Ajo shtoi se ruajtja e lidhjeve të mira midis dy vendeve është thelbësore për interesat e tyre.

Kryeministri Narendra Modi dhe Ministri i Jashtëm i Indisë Subrahmanyam Jaishankar “kanë bërë një punë të mirë për të drejtuar këtë alternativë në një kohë shumë të trazuara”, tha zoti Grossman.

“Tani keni diplomatë amerikanë, rusë dhe madje edhe kinezë që mbështesin Indinë. Vendi është me të vërtetë në udhëkryqin gjeopolitik të gjithçkaje që përfshin Jugun Global”, shtoi ai.

Deri më tani, India është përmbajtur të kritikojë drejtpërdrejtë Rusinë. Të dy kanë qenë aleatë që nga epoka e Luftës së Ftohtë dhe Nju Delhi varet nga Moska për gati 60% të pajisjeve të mbrojtjes. India ka marrë gjithnjë e më shumë naftën ruse që nga agresioni në Ukrainë një vit më parë, fillimisht duke u përballur me kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë. Presioni qysh atëherë është zbehur dhe India ka vazhduar të abstenojë nga votimi në rezolutat e OKB-së që dënojnë agresionin e Rusisë në Ukrainë.

“Mund të duket e pakuptueshme për shumë njerëz në Perëndim që reagimi i demokracisë më të madhe në botë ndaj një agresioni kaq gjakftohtë dhe skandaloz do të ishte kaq i zbehtë. Por për këdo që e kupton politikën e jashtme të Indisë, nuk është aspak befasuese”, thotë Michael Kugelman, drejtor i Institutit për Azinë Jugore në Qendrën Wilson.

“Nju Delhi ka një marrëdhënie të veçantë me Moskën dhe nuk do ta rrezikojë atë duke i kthyer krahët një partneri të vjetër”, tha ai.

Takimi i së enjtes do të jetë gjithsesi sfidues për Indinë, veçanërisht pasi ajo u detyrua të nxjerrë një deklaratë të kompromisi në përfundim të takimit të ministrave të financave të G-20 javën e kaluar. Rusia dhe Kina kundërshtuan një komunikatë të përbashkët, që përdorte të njëjtën gjuhë për luftën në Ukrainë, të nxjerrë nga deklarata e samitit të udhëheqësve të G-20 vitin e kaluar në Indonezi.

India ka thënë se i qëndron deklaratës së Balit, në të cilën fuqitë e mëdha botërore dënuan ashpër luftën në Ukrainë, duke paralajmëruar se konflikti po intensifikonte brishtësinë e ekonomisë botërore.

Zoti Grossman tha se ishte shqetësuese që deklarata përfundimtare e lëshuar në Bengaluru javën e kaluar u zbut disi nga deklarata e Balit me insistimin e Kinës dhe Rusisë. Ai tha se lejimi i Nju Delhi që kjo të ndodhte ishte shqetësues, por “gjendja e vështirë” e Indisë për të siguruar një takim të suksesshëm të G-20, duke përfshirë Rusinë dhe Kinën, nënkuptonte se vendi duhet të bënte “kompromise”.

Samitet janë veçanërisht të rëndësishme për kryeministrin Modi dhe partinë e tij në pushtet, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2024. Një shfaqje e fortë e Indisë gjatë G-20ës do të lejojë partinë e Modit të sinjalizojë shtrirjen e saj diplomatike dhe të projektojë fuqinë brenda dhe jashtë vendit.

Zoti Kugelman tha se samiti, që do të mbahet më vonë këtë vit, do të çojë përpara qëllime të rëndësishme politike të brendshme për Nju Delhin dhe qëllimi përfundimtar i Modit do të ishte “të menaxhojë me sukses rivalitetet e panumërta gjeopolitike brenda G-20, duke sinjalizuar që India mund të ngrihet mbi konkurrencën intensive të fuqive të mëdha” dhe çështjet në dukje të pazgjidhshme si lufta në Ukrainë”.

“Në fakt, Modi dëshiron që presidenca e tij në G-20 të sjellë arritje domethënëse”, tha ai.