Pasi nisi forcimin në fillim të janarit, euro po zhvlerësohet sërish në raport me lekun. Në ditët e fundit, monedha evropiane preku nivelin më të ulët, atë prej 115.1 lekësh, që prej datës 4 janar të këtij viti.
Sipas ekspertëve, ky nuk është një fenomen i zakonshëm pasi pas festave të fundvitit, jemi mësuar të shohim një euro më të fortë përballë lekut.
Këtë rënie të euros në këtë moment të vitit, ata e lidhin kryesisht me ekonominë informale.
KLODIAN MUÇO
EKSPERT PER EKONOMINE
“Faktorët janë disa. Aspekti i parë, një shpjegim mund të jetë që në fillim të janarit ksihim reshje të shumta dhe tendenca e KESH është të shesë energji. Aspekti i dytë shumë i rëndësishëm është Banka e Shqipërisë që duke mbushur rezervat me valutë, nuk po kryhen më operacione tregtare. Faktori më i rëndësishëm që ndoshta mund të shpjegojë gjithçka është ekonomia kriminale. Shqipëria bën pjesë në listën gri të pastrimit të parave. Shumë para që vijnë nga jashtë në rrugë informale, bëjnë këtë gjendje që jemi sot.”
Një lek më i fortë në raport me euron është lajm i mirë për inflacionin e vendit tonë sepse mallrat e importit kushtojnë më lirë. Por nuk është e njëjta situatë për eksportet.
KLODIAN MUÇO
EKSPERT PER EKONOMINE
“Për eksportuesit është masakruese rënia e euros. Ata eksportues që para 5-6 vitesh kanë firmosur kontrata kur euro ishte 140 lekë, sot e kemi 115 lekë. Eksportuesit shet në euro, por paguan në lek. Normalisht po humbasin, sa më shumë forcohet monedha vendase dhe zhvlerësohet euro, aq më shumë humbasin ata.”
Të ndikuar nga luhatjet e kursit të këmbimit janë edhe kredimmarrësit.
KLODIAN MUÇO
EKSPERT PER EKONOMINE
“Kredimarrësit që marrin pagat në lek dhe klreditë i kanë në euro, pë rata është shumë pozitive situata sepse harxhojnë më pak para për të paguar të njëjtin këst në euro. E kundërta ndodh pë rata që pagat i marrin në euro dhe paguajnë në lek. Ose pagat i marrin në euro, paguajnë në euro, por blejnë në lekë. Është një avantazh edhe për borxhin publik. Mbi 50% e borxhit shqiptar është në valutë të huaj. Në momentin që monedha jonë forcohet dhe ajo e huaj zhvlerësohet, kostoja e borxhit është më e ulët.”
Sipas ekspertëve, është shumë e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë në javët në vijim me euron sepse lëvizjet do të ndikohen nga qarkullimi i parasë informale./VP