Prej një viti, zhurma e sirenave shoqëron Ukrainën çdo ditë. Bombardime, vrasje, plaçkitje, këto janë fjalët që mund ta përshkruajnë agresionin e ashpër rus.
24 shkurti shënon një vit nga nisja e konfliktit Rusi-Ukrainë, më i madhi e i më përgjakshmi që përfshiu vendet e Europës, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në orët e para të mëngjesit të asaj të enjteje, Presidenti rus Vladimir Putin me pritshmëri të larta për të fituar në vetëm pak ditë, nisi sulmet ndaj Kievit nga toka, ajri dhe deti.
Po atë ditë, presidenti i Ukrainës, Zelensky, reagoi e i bëri të qartë Moskës, por edhe gjithë botës se vendi i tij do të qëndronte i palëkundur kundër pushtuesve rusë.
Kjo, do të ishte edhe dalja e fundit e tij i veshur me kostum zyrtari.
VOLODYMYR ZELENSKYY
PRESIDENT I UKRAINES
“Lufta është një fatkeqësi. Fatkeqësi me kuptin e plotë të fjalës.Ne nuk kemi nevojë për luftë por nëse do të sulmohemi, nëse ata përpiqen të na marrin vendin tonë, lirinë, jetën apo jetën e fëmijëve tanë, ne do të mbrohemi. Dhe kur ata të na sulmojnë, ne nuk do të largohemi duke kthyer shpinën por do të përballemi me fytyrat tona.”
Sot, 365 ditë më pas, dëmet e sulmeve, janë kolosale. Në të dy vendet, kanë humbur jetën më shumë se 100 mije persona, ushtarakë dhe civilë. Miliona qytetarë ukrainas, shumica gra dhe fëmijë, janë detyruar të largohen për t’u strehuar në shtete të tjera, pjesa më e madhe e tyre në Poloni.
Impakti i konfliktit preku gjithë botën, pasi Rusia dhe Ukraina janë dy nga furnizuesit më të mëdhenj të gazit, naftës dhe drithërave. Tensioni u rrit gjithashtu, kur në fillim të marsit rusët morën nën kontroll termocentralin bërthamor të Zaporizhias.
Dënimi ndërkombëtar i pushtimit rus të Ukrainës ishte i shpejtë dhe i ashpër, me një valë sanksionesh ndaj Moskës.
JOSEP BORRELL
SHEF I POLITIKES SE JASHTME TE BE
“Këto janë ndër orët më të errëta për Evropën që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”,
Lufta, e shoqëruar me sanksione të ashpra, solli krizë energjetike dhe një valë të rritjes së çmimeve kudo në Europë.
Në 30 shtator 2022, Putin shpalli në mënyrë të njëanshme aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës – Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson.
VLADIMIR PUTIN
PRESIDENT I RUSISE
“Ky është vullneti i miliona njerëzve, ne do të mbrojmë tokën tonë me të gjitha forcat dhe të gjitha mjetet”
Pas aneksimit te rajoneve ukrainase , Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria paraqitën një rezolutë në OKB, që dënonte referendumet ruse.
Nga ana tjetër, Putin i kërkoi Ukrainës që të ulet në bisedime për t’i dhënë fund luftimeve, por përpjekjet për dialog deri më sot kanë dështuar.
Perëndimi vijon ta mbështesë Ukrainën me miliarda dollarë për ushtrinë e saj, duke përfshirë raketa, drone si dhe tanke Abrams dhe Leopard 2. Në shenjë solidarizimi, në një vit Kievin e vizituan presidenti amerikan Xho Biden, e më herët edhe presidente e kryeministra të tjerë nga e gjithë bota.
Ndonëse ka përballë një aleancë të gjerë politike dhe ushtarake, presidenti Putin fajëson Perëndimin për situatën, duke u përpjekur të gjejë aleatë në Lindjen e largët dhe Amerikën Latine.