Një grup i aktivistëve kanë hedhur qindra litra ngjyrë të verdhë dhe të kaltër në rrugën ku gjendet ndërtesa e Ambasadës ruse në Londër, duke krijuar një flamur gjigant ukrainas, një ditë para përvjetorit të parë të pushtimit rus të Ukrainës.
Fushata e bërë nga grupi “Led By Donkeys” ndaloi trafikun para se të hidheshin mbi 300 litra ngjyrë në rrugë për të krijuar një flamur prej 500 metrash katrorë.
“Ukraina është shtet i pavarur dhe njerëzit kanë të drejtë për vetëvendosje”, tha grupi përmes një deklarate.
“Vendosja e flamurit gjigant ukrainas jashtë Ambasadës [së presidentit rus, Vladimir Putin] në Londër do të shërbejë si përkujtues për këtë gjë”.
Moska ka justifikuar pushtimin e Ukrainës me shqetësimet për sigurinë e saj kombëtare.
Policia në Londër tha se tri burra dhe një grua u arrestuan nën dyshimet se kanë shkaktuar dëme dhe kanë penguar komunikacionin në rrugën ku gjendet Ambasada ruse.