“Mbyllen” aeroportet gjermane, të premten greva “gjunjëzuese”

Një grevë e përgjithshme paralizon të premten aeroportet gjermane, përfshirë atë të Frankfurtit – më i madhi në vend.

Sindikata njoftoi se nga aksioni që synon rritjen e pagave të punonjësve në shërbimet publike në nivel të shtetit, qyteteve dhe bashkive do të preken aeroportet e Frankfurtit, Mynihut, Hamburgut, Shtutgartit, Dortmundit, Hannoverit e Bremenit.

Kjo situatë ka shtyrë shërbimin Fraport, i cili menaxhon aeroportin kryesor të Gjermanisë, t’i këshillojë udhëtarët të mos shkojnë atje në 17 shkurt.

“Për shkak të grevës janë pezulluar të gjitha detyrat që mundësojnë qarkullimin ajror të qetë”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Gjithsej 1.005 ngritje dhe ulje me 137.000 pasagjerë ishin planifikuar vetëm për të premten në Frankfurt. Kjo është pikërisht dita kur nis dhe Konferenca e Sigurisë në Mynih, e cila mbledh krerë shtetesh e qeverish, ekspertë dhe lobistë nga e gjithë bota.

Sindikata thotë se do të lejohet vetëm zbritja e avionëve që sjellin zyrtarët e lartë, ndërsa të gjithë të ftuarit e tjerë të Konferencës do të duhet ta gjejnë zgjidhjen vetë. Kjo është greva më e fundit e një serie aktivitetesh të tilla që kanë për qëllim rritjen e rrogave. Aksionit i janë bashkuar këto ditë edhe punonjësit e kompanive të transportit urban apo edukatorët e kopshteve në disa qytete të Gjermanisë.

Sindikatat kërkojnë përpara raundit të dytë të negociatave në 22 shkurt që rritja minimale e pagave të jetë 10.5 % e të shkojë të paktën në 500 euro në muaj bruto, por autoritetet i kanë refuzuar këto kërkesa si joreale.