Numri i përgjithshëm i të vdekurve pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë dhe Sirinë ka arritur në 36 mijë. Kjo shifër mund të rritet edhe më shumë. Me kalimin e ditëve përpjekjet e autoriteteve po ndryshojnë, nga shpëtimi i të mbijetuarve të bllokuar nën rrënoja, në ofrimin e strehimit, ushqimit dhe kujdesit psikosocial për miliona njerëzit e prekur nga kjo fatkeqësi.
Një pjesë e të mbijetuarve janë të shqetësuar për pasiguritë për të ardhmen.
Një grua 50 vjeçare, u nxorr gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur gjashtë ditë pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.8, që shkatërroi mijëra ndërtesa në Turqi, duke vrarë mijëra njerëz.
E mbijetuara nga qyteti Iskenderun është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Momente si këto janë frymëzim për ekipet e shpëtimit, ndonëse shpresat për gjetjen e të mbijetuarve tjerë po zbehen pas çdo ore që kalon.
Ndërkohë, miliona të mbijetuar të tërmetit, që goditi rajonet juglindore të Turqisë dhe Sirinë fqinje, po përballen me një të ardhme të pasigurt.
Ka nga ata që kanë mjetet për t’u larguar nga zonat e prekura. Ka nga ata që nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të largohen.
Ka edhe nga ata që duan të qëndrojnë në shtëpitë e të parëve të tyre, por nuk e dinë se çfarë do të sjellë e nesërmja.
Në Adiyaman njerëzit presin radhën për t’u larguar nga qyteti. Shumë prej tyre ndihen të pasigurtë për të ardhmen.
Musa Bozkurt është në zi për familjarët e humbur, ndërsa thotë se nuk ka asnjë plan për të ardhmen.
“Po largohemi prej këtu, por nuk e dimë ç’do ndodhë aty ku do shkojmë. Nuk kemi asnjë plan. Nuk e di ç’do të ndodhë. Dëshira ime e vetme është që gruaja dhe fëmijët të jenë mirë”, thotë 25 vjeçari Bozkurt i cili humbi babanë dhe xhaxhanë nga tërmeti.
Të tjerë kanë një të ardhme më të qartë në mendje, si Evrim Sucu, e cila thotë se do të zhvendoset në Afyon të provincës Karahisar.
“Duam një vend pune dhe një shtëpi. Një jetë të re, fillim të ri. Do të përpiqemi të shërojmë plagët tona me ndihmën e qeverisë”, thotë ajo.
Të tjerë thonë se nuk kanë mundësi të largohen.
” Ne jemi të varfër. Qeveria po na thotë largohuni për një ose dy muaj. Si të largohem nga shtëpia ime? Këtu kam tokat bujqësore, si ti lë pas?”, pyet Fuat Ekinci, 55 vjeçar.
“Po përballemi me të ftohtin. Nuk kemi rrymë dhe ujë. Nuk mund të shkojmë askund. Po presim në të ftohtë me fëmijët tanë të vegjël. Ne edhe mund të durojmë, por fëmijët tanë të porsalindur jo. Çfarë të bëjmë me ta?”, thotë Mehmet Arslan një i mbijetuar tjetër.
“Do të presim pak sa të përfundojnë pasgoditjet. Ose derisa të jemi në gjendje të kthehemi në shtëpi. Nuk kemi çfarë të bëjmë për momentin. Jetojmë nën frikë”, thotë 35 vjeçari Osman Cavus.
Sipas një raporti të Konfederatës turke të Ndërmarrjeve dhe Bizneseve riparimi i dëmeve të tërmetit mund t’i kushtojë Ankarasë deri në 84 miliardë dollarë, ndërsa qeveria turke i ka vlerësuar dëmet në mbi 50 miliardë dollarë.