Prej vitesh Bashkimi Europian nuk po avancon me përpjekjet e veta për kthimin e azilkërkuesve pa të drejtë qendrimi. Tani Komisioni i BE-së në Bruksel ka ndërmarrë një nismë duke paraqitur një projektstrategji të re. Kjo ka të bëjë me faktin, se numri i hyrjeve të parregullta në BE në vitin 2022 është rritur, deklaroi komisarja e BE-së për Punët e Brendshme, Ylva Johannsson gjatë prezantimit të këtij projekti.
Pjesa më e madhe e këtyre njerëzve nuk kanë arsye për azil, megjithatë shumë prej tyre paraqesin kërkesë për azil. 920.000 kërkesa për azil janë paraqitur në vitin 2022 sipas Komisionit të BE-së. Kjo është një rritje me gati 50 përqind kundrejt një viti më parë. “Kjo e vë nën presion të jashtëzakonshëm sistemin tonë të azilimit dhe kapacitetet e pranimit”, tha Johansson.
Në vitin 2019, sipas të dhënave të Komisionit të BE-së, janë kthyer 29 përqind e atyre njerëzve, të cilët duhej të largoheshin nga shtetet e BE-së. Më 2021 kuota ishte 21 përqind. Autoriteti i BE-së në vitin 2018 kishte shpallur si objektiv kthimin e rreth 70 përqind personave pa të drejtë qendrimi.
Për të rritur numrin e të kthyerve, BE-ja do të arrijë që vendet anëtare të bashkëpunojnë në mënyrë të koordinuar. Për këtë komisioni ka krijuar një strukturë të vetën brenda Agjencisë për Mbrojtjen e Kufirit Frontex. Kjo strukturë drejtohet nga koordinatorja për kthimin Mari Juritsch, e cila është në detyrë që nga maji 2022.