Tensione, rrugë të bllokuara në veriun e Kosovës, këmbime akuzash ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit por edhe shtimi i përpjekjeve ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje qoftë dhe të ndërmjetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, përshkuan vitin 2022 në Kosovë. Nën hijen e këtyre zhvillimeve Kosova, sikurse edhe vendet tjera të kontinentit u përball edhe me pasojat e agresionit rus në Ukrainë, tkurrje të zhvillimit ekonomik dhe probleme energjetike.

Kosovë, tensionet me Serbinë përshkuan vitin 2022

TENSIONET KOSOVË – SERBI

Muaji i fundit i vitit 2022 e gjeti Kosovën me rrugë të bllokuara për rreth tri javë më radhë në veriun e banuar me shumicë serbe. Tensionet në zonë që u ringritën në vjeshtë zunë fill në fillim të verës, kur qeveria e Kosovës vendosi masa të reciprocitetit me Serbinë, duke kufizuar deri në fund të shtatorit përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia dhe deri në fillim të gushtit masën e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve personale të qytetarëve serbë që hyjnë në Kosovë.

Më 31 korrik grupe qytetarësh serbë në veriun e Kosovës bllokuan rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Beogradi akuzoi Prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha se “situata për popullin serb në Kosovë është shumë e ndërlikuar”, ndërsa luti shqiptarët, bashkësinë ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës që të ruajnë paqen. “Nëse nuk duan të ruajnë paqen, po ju them se Serbia do të fitojë”, tha ai.

Në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi për destabilizimin e situatës.

“Ne nuk do t’ua marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë. Ne do t’ua shtojmë një fletë-deklarim”, tha kryeministri Kurti gjatë një konference me gazetarë në Prishtinë.

Në vitin 2011 Kosova dhe Serbia kishin rënë dakord për një marrëveshje mbi lëvizjen e lirë në bazë të së cilës dokumentet e të dyja palëve zëvendësohen me një fletë-deklarim të përkohshëm. Beogradi ngulë këmbë se marrëveshja nuk ka të bëjë me serbët në veriun e Kosovës.

Mesnatën ndërmjet 31 korrikut dhe 1 gushtit qeveria e Kosovës vendosi të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimeve me kërkesën e ambasadorit amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier.

“Mendoj se shtyrja e zbatimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian që të ulen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”, tha ambasadori Hovenier.

Të inkurajuar nga shtyrja, zyrtarë të Bashkimit Evropian organizuan një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit Serb Aleksandar Vuçiç me 18 gusht, por pa ndonjë rezultat.

“Fatkeqësisht ende nuk kemi arritur marrëveshje sot, jo, më vjen keq”, tha shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Nëntë ditë më vonë zoti Borrell, tha se Serbia dhe Kosova arritën një marrëveshje mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

Diplomatët perëndimor shfaqën shpresën se palët do të përfshihen në kërkim të një zgjidhjeje edhe për përdorimin e targave të makinave, ndërsa po afrohej 1 shtatori kur duhej të rridhte afati dy muajsh për konvertimin e tyre.

Para përfundimit të afatit, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se së bashku me diplomatët evropianë ka kërkuar nga Kosova zgjatjen e afatit për konvertimin e targave për dhjetë muaj.

“Do të shpresoja që ata të reagonin pozitivisht ndaj kërkesës jo vetëm të Shteteve të Bashkuara, por edhe të pjesës tjetër të Quint-it, të Bashkimit Evropian dhe të përfaqësuesit special, Miroslav Lajçak”, tha zoti Escobar.

Më 28 tetor qeveria e Kosovës vendosi të modifikojë afatin për konvertimin e targave.

“Për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor fillon masa e qortimit. Pastaj për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill s’mund të ketë sepse s’mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Policët serbë në veriun e Kosovës refuzuan zbatimin e vendimit për targat dhe më 2 nëntor Drejtori i Policisë së Kosovës në atë zonë Nenad Gjuriç, u pezullua nga puna. Dy ditë më vonë punonjësit serb në institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politik braktisën vendet e punës.

Shtetet e Bashkuara sikurse Bashkimi Evropian i cilësuan shqetësuese zhvillimet në veri, ndërsa Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, postoi më dhjetë nëntor në Twitter, se ka biseduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, më të cilin siç tha, ndau “zhgënjimin me vendimin e Kosovës për të mos zgjatur afatin për targat”.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar në një intervistë me Zërin e Amerikës e vlerësoi mjaft të rrezikshme situatën në veriun e Kosovës.

“Nga pala e Kosovës për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë…Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, tha zoti Escobar.

Deklarimet amerikane nxitën shqetësime në Kosovë ku udhëheqësit e partive politike opozitare i kërkuan në një takim kryeministrit të Kosovës të bashkërendojë veprimet me aleatët perëndimorë.

“Nuk mund të them se dola me ndonjë siguri të madhe se qeveria e dinë në çfarë drejtimi është duke shkuar dhe çfarë veprime duhet të marrë për ta mbajtur situatën në kontroll”, tha kryetari i Partisë Demokratike Memli Krasniqi.

“Kosova nuk duhet të bie pre e kurtheve të destabilizimit të vendit nga faktorë që burojnë në Beograd e në koordinime shumë më të thella se sa kaq, por duhet ngushtë me aleatët e vet të sigurojë paqen dhe stabilitetin në territorin e vet”, tha Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Këto shqetësime u përvijuan edhe përgjatë debateve parlamentare. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit për targat sipas kërkesës amerikane ndërsa.

“Veprimi i dytë që duhet të ndërmarrim të gjithë ne së bashku është dialogu me serbët e Kosovës, jo vetëm nga kjo foltore por një dialog intensiv për t’i kthyer ata në institucione dhe për ta kthyer besimin e tyre në institucionet e Kosovës”, tha zoti Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u takuan më 21 nëntor në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por takimi nuk solli marrëveshje.

“Të dy mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e bisedimeve sot dhe për çdo përshkallëzim dhe dhunë që mund të ndodhë në terren. Ne paraqitëm një propozim që presidenti Aleksandar Vuçiç e pranoi, ndërsa kryeministri Albin Kurti jo”, tha zoti Borrell.

Sërish ndërhyri diplomacia amerikane e cila i kërkoi një afat 48 orësh qeverisë në Prishtinë për t’u dhënë një mundësi diskutimeve rreth kësaj çështjeje. Kryeministri Kurti pranoi dhe dy ditë më pas palët u morën vesh që Serbia të ndërpres lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e makinave.

Por, situata në veri mbeti e tensionuar. Grupe qytetarësh serbë penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa policia njoftoi për incidente ndërsa zyrtarët provuan të fillojnë përgatitjet e zgjedhjeve për kryetarët e katër komunave veriore të caktuara për datën 18 dhjetor.

Zgjedhjet u shtynë për në muajin prill të vitit 2023 por kjo nuk uli tensionet. Arrestimi i një ish pjesëtari të policisë nga radhët e komunitetit serb për sulm ndaj autoriteteve, bëri që rrugët të bllokohen sërish.

Një pjesëtar i policisë së Kosovës mbeti i plagosur në një sulm të armatosur në veri, ndërsa u raportuan incidente edhe ndaj pjesëtarëve të policisë së Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Me 16 dhjetor Serbia u dorëzoi forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, një letër me të cilën kërkon kthimin e një numri pjesëtarësh të forcave të saj të sigurisë në Kosovë, me gjithë paralajmërimet perëndimore se ajo nuk ka gjasë të pranohet dhe vetëm sa shton tensionet në zonë.

Beogradi ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake të forcave të tij të sigurisë, ndërsa forcat e NATO-s thanë se ato nuk mund të afrohen më shumë se një mijë metra nga kufiri i Kosovës, pa pëlqimin e KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se kanë marrë garanci nga Kosova se nuk do të ndiqen ata që ngritën bllokadat. Më 28 dhjetor një gjykatë në Prishtinë e liroi nga paraburgimi policin e arrestuar më dhjetë dhjetor dhe pas kësaj presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se serbët do të heqin bllokadat.

Heqja e tyre që u përmbush më 29 dhjetor, zbuti tensionet të paktën për një kohë.

PROPOZIMI “FRANKO-GJERMAN” PËR MARRËVESHJEN KOSOVË – SERBI

Në fillim të muajit shtator kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron angazhuan këshilltarët e tyre për të mbështetur bisedimet Kosovë – Serbi. Të dy këshilltarët vizituan Prishtinën dhe Beogradin dhe pas asaj vizite u tha se ka një nismë të këtyre dy vendeve për një marrëveshje ndërmjet palëve që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë, por parasheh që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se propozimi është një çështje për të cilën duhet biseduar dhe menduar, meqë siç u shpreh “nuk mund ta hidhni nga dritarja propozimin që vjen nga dy nga vendet më të fuqishme”, por nuk është i sigurt se ai mund të jetë i pranueshëm.

“Thelbi i dokumentit është që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara. Serbisë, ndonëse nuk është saktësuar, do t’i përshpejtohej anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe do t’i ofroheshin përfitime të rëndësishme ekonomike”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se propozimi është bazë e mirë për diskutime.

“Propozimi i Bashkimit Evropian me mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që janë bashkangjitur po ashtu në mbështetje të këtij propozimi, nuk është merre ose leje. Unë e kam konsideruar bazë të mirë për të diskutuar mbi të por nuk është merre ose leje. Nuk më pëlqen mua gjithçka aty, ka shumëçka që duhet të diskutohet”, tha ai.

Propozimi që mori mbështetjen amerikane, mes tjerash përfshinë edhe zotimin e palëve për të përmbushur të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Në këtë kuadër Kosova u gjet nën trysni për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është edhe pjesa më e diskutueshme në bisedimet ndërmjet palëve. Beogradi ngulë këmbë në themelimin e tij sipas marrëveshjes së viteve 2013 dhe 2015, ndërsa Prishtina thekson se Gjykata Kushtetuese ka gjetur një mori shkeljesh në të.

“Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe unë nuk kam përgjigje të re por natyrisht që në kapitullin e 4-të të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes që e kanë prezantuar me datën 18 gusht në Bruksel, unë aty edhe kam thënë që do të ketë konsideratë për të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe implementimin e tyre, por nuk mund të jetë ky kapitulli i parë dhe nuk mund të jetë nga 33 marrëveshje vetëm njëra më e rëndësishmja, më kryesorja dhe prioritare”, tha kryeministri Kurti.

I dërguari amerikan Gabriel Escobar, tha se ka modele të shumta evropiane, sipas të cilave pakicat mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kuadrin kushtetues të vendit ku jetojnë.

“Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, tha zoti Escobar.

Përfaqësuesit politik në Kosovës thonë se asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

KOSOVA DHE AGRESIONI RUS NË UKRAINË

Tensionet përgjatë vitit nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik dhe thirrje për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, posaçërisht në dritën e zhvillimeve në botë pas agresionit rus në Ukrainë. Por qasja e të dyja vendeve është e ndryshme.

Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk i ka vënë sanksione Moskës me gjithë kërkesën e BE-së që të harmonizojë politikat e saj me ato të bllokut. Kosova u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë duke u solidarizuar me ukrainasit dhe aleatët e saj perëndimorë.

Serbia nënshkroi një marrëveshje me Rusinë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme në muajin shtator duke nxitur reagimin e diplomacisë perëndimore, ndërsa opozita serbe tha se kjo ishte një shenjë që presidenti serb Vuçiç, një ish-ultranacionalist, ka hequr dorë nga orientimi i vendit ballkanik drejt BE-së dhe po e afron atë më pranë Moskës.

Agresioni rus u ndje në Kosovë sikurse edhe vendet tjera të botës në rrafshin ekonomik. Raportet e institucioneve ndërkombëtare thanë se trysnia e krijuar nga inflacioni global ka ndërprerë rrugën e rimëkëmbjes së hovshme ekonomike të Kosovës.

Institucione si Banka Botërore ulën parashikimet për rritje ekonomike të Kosovës në 3.2 për qind, një shifër shumë më e ultë se në vitin 2021 kur Kosova shënoi rritje ekonomike mbi 10 për qind.

GJYKATA E POSAÇME PËR KRIME LUFTE

Më 16 dhjetor Gjykata e Posaçme e Kosovës për krime lufte me seli në Hagë e shpalli fajtor dhe e dënoi me 26 vjet heqje lirie Sali Mustafën një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzat për krime lufte.

Salih Mustafa, u shpall fajtor nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi në Kosovë, ku prokurorët thonë se të burgosurit, kryesisht shqiptarë të Kosovës që ishin kundërshtarë politikë të UÇK-së, rriheshin dhe torturoheshin çdo ditë.

Ky ishte vendimi i parë i Gjykatës së Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, që u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Aktualisht në Hagë ndodhen edhe ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u arrestuan në nëntor të vitit 2020.

Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi pretendimet e përfshira në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Në muajin prill ish i dërguari i KE-së, Dick Marty u tha medieve në Zvicër se është kërcënuar nga “elementë radikalë të shërbimeve serbe të zbulimit”. Në një intervistë me televizionin publik të Zvicrës, zoti Martytha se është vënë nën mbrojtje të armatosur në shtëpinë e tij, nga fundi i vitit 2020 për shkak të kërcënimeve që sic tha ai duket së vijnë nga qarqe të caktuara të shërbimeve serbe të zbulimit, të cilët u kanë kërkuar vrasësve profesionistë të nëntokës, ta likuidojnë dhe thjeshtë të fajësojnë njerëzit nga Kosova për këtë.

Beogradi i mohoi pohimet e tilla.

KOSOVA DHE INTEGRIMET EURO-ATLANTIKE

Më 15 dhjetor Kosova dorëzoi kërkesën zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një hap në një proces shumë të gjatë drejt integrimit të mundshëm, që varet edhe nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Duke e dorëzuar kërkesën në Pragë kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ajo synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i fundit në rajon në proceset integruese.

Një nga kushtet kryesore për integrimin e saj është arritja e një marrëveshjeje normalizimi me Serbinë. Normalizimi është kusht edhe për integrimin e Serbisë, e cila hapi në vitin 2014 negociatat për anëtarësim.

Një ndër pengesat e mëdha në proceset integruese është mosnjohja e Kosovës nga pesë vende anëtare të BE-së: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Bashkimi Evropian hodhi gjatë vjeshtës disa nga hapat thelbësor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga fundi i vitit 2023 dhe më së largu në janar të vitit 2024.

Pak pas agresionit rus në Ukrainë qeveria e Kosovës themeloi grupin punues ndërinstitucional, që synon përshpejtimin e anëtarësimit në NATO, një proces që varet nga fakti se katër nga vendet anëtare të NATO-s ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Agresioni rus në Ukrainë që nga fillimi ka nxitur shqetësime për ndikimet në Ballkanin Perëndimor. Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Karen Donfried, gjatë një vizitë në rajonin e Ballkanit Perëndimor në pranverë ritheksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Kosovës.

“E di që shumë në Kosovë janë të brengosur për sigurinë e Kosovës në këtë kohë të pasigurt. Unë dua t’ju siguroj se angazhimi i Shteteve të Bashkuara dhe ai i aleatëve mbetet i hekurt. KFOR-i, misioni më i madh i NATO-s, është stacioni më i dukshëm i përkushtimit tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Kosovës”, tha ajo.

DHUNA NDAJ GRAVE

Ndërsa Kosova hapi fushatën 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “as edhe një më shumë”, dy gra u vranë në Prishtinë nga burrat e tyre. Më 25 nëntor një burrë u arrestua për vrasjen e gruas së tij sëpatë në rrethana dhe për motive ende të pasqaruara.

Pesë ditë më vonë më 30 nëntor një grua 35 vjeçare u vra në oborrin e spitaleve të Prishtinës, nga ish bashkëshorti i saj.

Vrasjet nxitën reagime në shkallë të gjerë.

Sipas të dhënave nga policia e Kosovës tri gra u vranë nga burrat e tyre në vitin 2022, përgjatë të cilit pati shtim të dhunës në familje. Nga janari e deri në tetor, janë shënuar dy mijë e 273 raste të tilla nga të cilat pjesa më e madhe dhunë ndaj gruas.

“Luftimi i dhunës në familje kërkon shumë më shumë se ndjekje penale efektive, kërkon ndryshime kulturore dhe qasje të mbarë shoqërisë, nga polici në vendin e ngjarjes i cili kryen hetimet, prokurori që ngre çështjet, te gjyqtarët që dëgjojnë këto çështje dhe zbatojnë ligjin, avokatët e viktimave që i përfaqësojnë ato në çdo hap të procesit, pastaj ata që ofrojnë mbështetje – si strehimoret dhe mediat që i raportojnë rastet në publik”, tha ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Në muajin gusht një vajzë 11 vjeçe u përdhunua në një park të kryeqytetit, duke nxitur reagime të shumta e protesta për disa ditë me radhë.

Një raport i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit nxori në pah se është rritur numri i rasteve të përdhunimeve që raportohen në policinë e Kosovës.

“Do të doja të besoja shumë se njëra nga arsyet e rritjes së këtij trendi është vetëdijesimi i grave dhe besimi i tyre në institucione për të raportuar këto raste por të dhënat nuk na mundësojnë një përfundim të tillë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Raporti tregon se shumica e viktimave të përdhunimit janë të mitura ndërsa shqetësues mbetet dënimi i ultë i përdhunuesve.