AP
Uiskonsin dhe Karolina e Veriut u janë bashkuar të paktën 22 shteteve të tjera në ndalimin e aplikacionit popullor të mediave sociale, TikTok, në pajisjet shtetërore.
Edhe shtete të tjera amerikane, përfshirë Misisipin, Indianën, Luizianën dhe Dakotën e Jugut, kanë marrë një vendim të ngjashëm.
Kongresi, gjithashtu, kohët e fundit ndaloi TikTok-un nga shumica e pajisjeve të lëshuara nga Qeveria amerikane, për shkak të shqetësimeve të dy partive lidhur me sigurinë.
TikTok është në pronësi të ByteDance, një kompani kineze që e zhvendosi selinë e saj në Singapor në vitin 2020.
Ky aplikacion është vënë në shënjestër nga kritikët që thonë se Qeveria kineze mund të ketë qasje në të dhënat e përdoruesve, sikurse është historia e kërkimeve dhe vendndodhja. Forcat e armatosura amerikane gjithashtu e kanë ndaluar aplikacionin në pajisjet ushtarake.
TikTok përdoret nga dy e treta e adoleshentëve amerikanë dhe është bërë domeni i dytë më i popullarizuar në botë.
Por, prej kohësh ka pasur shqetësime dypartiake në Uashington se Pekini do të përdorte fuqinë ligjore dhe rregullatore për të marrë në posedim të dhënat e përdoruesve amerikanë ose për të provuar që të shtyjë përpara narrativë pro-Kinë ose të përhapë dezinformata.
Në këtë tekst mund të mësoni më shumë për vendimin e shteteve amerikane Uiskonsin dhe Karolina e Veriut dhe lidhur me debatin më të gjerë rreth TikTok-ut.
Pse Uiskonsin dhe Karolina e Veriut po e përjashtojnë TikTok-un?
Guvernatori demokrat i Uiskonsin, Tony Evers, përmendi shqetësimet për privatësinë dhe sigurinë pas konsultimit me Byronë Federale të Hetimeve (FBI) dhe zyrtarët e menaxhimit të emergjencave rreth aplikacionit. Urdhri i Evers zbatohet për shumicën e agjencive shtetërore, me disa përjashtime si hetuesit penalë, që mund të përdorin aplikacionin për të gjurmuar njerëz të caktuar.
Si Evers ashtu edhe guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper, ndaluan gjithashtu përdorimin e WeChat, një aplikacion kinez i mesazheve, në pajisjet shtetërore.
“Është e rëndësishme për ne që të mbrojmë teknologjinë shtetërore të informacionit nga vendet e huaja që kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në sulmet kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara”, tha Cooper.
“Mbrojtja e Karolinës së Veriut nga kërcënimet kibernetike është jetike për të garantuar sigurinë, privatësinë dhe suksesin e shtetit tonë dhe njerëzve të tij”, shtoi ai.
Cilat janë shqetësimet më të mëdha për TikTok-un?
Si FBI-ja, ashtu edhe Komisioni Federal i Komunikimeve, kanë paralajmëruar se të dhënat e përdoruesve të TikTok-ut mund të ndahen nga pronari ByteDance Ltd. me Qeverinë autoritare të Kinës. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësim gjithashtu se Qeveria kineze mund të përdorë TikTok-ut për të nxitur narrativë ose dezinformata pro-Pekinit.
Frika u rrit nga lajmet në vitin e kaluar se një ekip me bazë në Kinë ka pasur qasje në mënyrë të parregullt në të dhënat e përdoruesve amerikanë të TikTok-ut, përfshirë edhe në të dhënat e dy gazetarëve, si pjesë e një programi të fshehtë mbikëqyrjeje për të zbuluar burimin e rrjedhjeve të informacionit në media.
Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se kompania po dërgon të dhënat e përdoruesve në Kinë, duke shkelur rregullat e rrepta evropiane të privatësisë.
Për më tepër, ka pasur shqetësime për përmbajtjen e TikTok-ut dhe nëse ajo dëmton shëndetin mendor të adoleshentëve.
Kush ka kërkuar për kufizime?
Në vitin 2020, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, dhe administrata e tij u përpoqën të ndalonin lidhjet me pronarin e TikTok-ut, ta detyronin atë të shiste asetet e tij në SHBA dhe ta largojnë nga platformat e shitjes së aplikacioneve. Gjykatat bllokuan përpjekjet e Trump për të ndaluar TikTok-un dhe presidenti aktual amerikan, Joe Biden, anuloi urdhrat e Trump pasi mori detyrën.
Në Kongres, shqetësimi për aplikacionin ka qenë dypartiak. Kongresi amerikan muajin e kaluar ndaloi TikTok-un nga shumica e pajisjeve të lëshuara nga Qeveria amerikane, për shkak të shqetësimeve të ligjvënësve demokratë e republikanë lidhur me sigurinë.
Senati në dhjetorin e vitit të kaluar miratoi një version të ndalimit të TikTok-ut, vendim që u autorizua nga senatori republikan konservator, Josh Hawley, nga Misuri. Hawley është një kritik i zëshëm i kompanive të mëdha të teknologjisë.
Por, ligjvënësi demokrat amerikan, Raja Krishnamoorthi, nga Illinois, ka bashkë-sponsorizuar legjislacionin për të ndaluar funksionimin e plotë të TikTok-ut në SHBA dhe masa e miratuar nga Kongresi në dhjetor kishte mbështetjen e kryetares së atëhershme demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Por, cila është përgjigjja e Tiktok-ut?
“Ne jemi të zhgënjyer që kaq shumë shtete po pajtohen me anën politike për të miratuar politika që nuk do të bëjnë asgjë për të avancuar sigurinë kibernetike në shtetet e tyre dhe bazohen në gënjeshtra të pabaza rreth TikTok-ut”, tha Jamal Brown, një zëdhënës i TikTok-ut përmes një deklarate.
TikTok-u po zhvillon plane për sigurinë dhe privatësinë e të dhënave si pjesë e një rishikimi të vazhdueshëm të sigurisë kombëtare nga administrata e presidentit amerikan, Joe Biden.