Dhjetëra mijëra novatorë të teknologjisë dhe pjesëmarrës marrin pjesë këtë javë në Panairin e Elektronikës në Las Vegas. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deana Mitchell, pajisje që funksionojnë me inteligjencë artificiale dhe ato të realitetit virtual po tërheqin vëmendjen e ekspertëve dhe konsumatorëve.
Një qen robot që mund të komandohet me zë, një pajisje e motorizuar për të ecur më shpejt, dhe një pajisje virtuale që ofron komoditet në metaverse janë disa nga risitë e panairit të elektronikës në Las Vegas këtë vit.
Ky qen i vogël robot po përdoret për të demonstruar aftësitë e teknologjisë së inteligjencës artificiale, të aktivizuar me zë.
“Ne kemi krijuar një program të inteligjencës artificiale zanore, përmes të cilit mund të komandosh me zë çdo lloj makinerie, robot, dron apo kompjuter në botë”, thotë Marc Bagur nga kompania “Airudit”.
Më shumë se 140 vende janë të përfaqësuara në panairin e këtij viti, i pari pas pandemisë me kapacitet të plotë dhe pa kufizime. Atë pritet ta vizitojnë 100 mijë njerëz. Gati gjysma e 3200 produkteve të shfaqura në panair janë prodhuar nga kompani të huaja, përfshirë disa nga Ukraina. Personeli i tyre udhëtoi në Shtetet e Bashkuara për të shfaqur produktet e tyre. Por organizatori i panairit nuk lejoi pjesëmarrjen e kompanive ruse.
“Ne nuk lejuam pjesëmarrjen e kompanive ruse në panair për shkak të situatës në Ukrainë”, tha Gary Shapiro nga Shoqata e Teknologjisë së Konsumit.
Ai thotë se hapja pa masa kufizuese e panairit është shumë e rëndësishme. Pavarësisht nga mbështetja tek teknologjia e botës, pandemia dëshmoi se njerëzit dëshirojnë ndërveprim personal. Tema e këtij viti në panairin e elektronikës është qëndrueshmëria.
“Shumë nga kompanitë e përfaqësuara në panair duan të plotësojnë nevojat e shoqërisë. Ato po japin kontributin e tyre për ta bërë shoqërinë më të mirë. Teknologjia mund të përmirësojë qasjen në ushqim, ujë dhe ajër të pastër”, tha zoti Shapiro për Zërin e Amerikës.
Claire Peng, nga kompania tajvaneze “Ible”, thotë se kufjet e kompanisë së saj për bllokimin e zhurmës përdorin jone negative për të luftuar viruset dhe ndotësit e ajrit si poleni.
“Kufiet mund të mbrojnë përdoruesit si nga ndotësit e ajrit ashtu edhe nga zhurmat e ambientit”, thotë ajo.
Panairi ofron pajisje të reja edhe për hapësirën virtuale tredimensionale, metaverse. Pavarësisht valës së pushimeve nga puna në këtë sektor të teknologjisë vitin e kaluar, pajisjet e realitetit virtual po tërheqin vëmendjen e ekspertëve dhe pjesëmarrësve.
Kompania me seli në Tokio, “Shiftall” synon ta bëjë realitetin virtual më komod me një kufje të lehtë.
Mikrofoni i saj pa tel, “Mutalk”, bllokon zërin e përdoruesit, për të mos shqetësuar njerëzit e tjerë kur flet me zë të lartë gjatë aktiviteteve në botën virtuale.
“Pesha e lehtë e mikrofonit mund të jetë një faktor i rëndësishëm për përdoruesit që shpenzojnë shumë kohë në metaverse”, thotë Takuma Iwasa nga kompania “Shiftall”.
Panairi i Elektronikës në Las Vegas ofron për konsumatorët teknologji të reja që mund t’ua ndryshojnë jetën.