Për herë të parë në vite, Danimarka nuk ka regjistruar asnjë grabitje banke. Transaksionet me para në dorë në vendin nordik pothuajse nuk egzistojnë më. Danezët po përdorin kartat e kreditit dhe telefonat inteligjentë për të bërë pagesa.
Shoqata daneze e punonjësve të bankave mirëpriti lajmin të martën se gjatë vitit 2022 nuk kishte patur asnjë grabitje banke.
“Finance Denmark”, shoqata e sektorit bankar tha se vetëm rreth 20 filiale bankash në të gjithë vendin kanë në gjendje para kesh. Por numri i degëve të bankave ka rënë nga 219 në vitin 1991 në 56 gjatë vitit 2021, tha në një deklaratë zëdhënësi Steen Lund Olsen.
Njoftimet mediatike vunë në dukje se në Danimarkë tërheqja e parave në banka ka rënë me rreth tre të katërtat çdo vit gjatë gjashtë viteve të fundit. Në vitin 2000, u regjistruan 221 grabitje bankash, tha shoqata “Finance Denmark” dhe në vitin 2021 pati vetëm një grabitje.
Keqbërësit e drejtuan vëmendjet tek bankomatët, duke shënuar 18 grabitje në vitin 2016. Por edhe grabitjet e bankomatëve kanë rënë në zero mes shtimit të masave të sigurisë dhe atyre teknike, sipas shoqatës.
“Finance Denmark” thotë se vitet e fundit keqbërësit e kanë pëqendruar vëmendjen tek mashtrimet në hapësirën kibernetike.