Ballkani do të jetë një nga prioritetet e Suedisë, e cila në ditën e parë të 2023-shit mori nga Çekia kryesimin e Këshillit të Bashkimit Europian, që do të zgjasë deri në fund të muajit qershor.
Kjo përbën të tretën herë që ky vend do të jetë në krye të këtij institucioni. Anëtare e BE-së që nga viti 1995, Suedia e ka pasur kryesimin e radhës në vitin 2000 dhe në vitin 2009. Duke folur rreth përparësive të vendit të tij në krye të bllokut europian, kryeministri suedez Ulf Kristersson, tha se do të punojë për një “Europë më të sigurt, më të lirë dhe më të gjelbër“.
Në dokumentet që publikoi Presidenca suedeze e BE-së për prioritetet e saj, raportet me Ballkanin Perëndimor dhe procesi i zgjerimit përmenden si çështje të rëndësishme në aspektin e sigurisë për tërë Evropën. “Zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, në aspektin e sigurisë, janë të rëndësishme si për këtë rajon, ashtu edhe për Bashkimin Evropian”, thuhet aty. Burime diplomatike në Bruksel pohojnë se Suedia do të punojë në forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit me vendet fqinje të BE-së, si me ato që janë në procesin e zgjerimit, ashtu dhe me ato që nuk janë të përfshira në këtë proces.