Tirana e ka përjetuar ndërrimin e viteve me një spektakël fishekzjarresh, të organizuar nga bashkia e kryeqytetit. Qindra qytetarë janë derdhur në Sheshin Skënderbej, për të qenë të pranishëm në ndërrimin e viteve.

Prej orës 22:30, në sheshin qëndror të kryeqytetit kishte nisur edhe një koncert me këngëtarë të njohur.

Lezhë qytetarët mbushin sheshin, shijojnë fishekzjarret

Edhe në Lezhë ndërrimi i viteve është festuar me një shfaqje emocionuese fishekzjarresh. Qindra qytetarë, pavarësisht temperaturave të ulëta mbushën sheshin kryesor të qytetit, duke u bërë pjesë e festimeve për vitin e ri. Për disa minuta qielli u ndriçua nga fishekzjarret e shumta, të cilët u hodhën në mënyre të organizuar nga bashkia Lezhë.

Fier, fishekzjarret ndriçojnë qiellin

Hyrja e vitit të ri është festuar edhe në Fier me një spektakël fishekzjarrësh. Dhjetëra qytetare mbushën sheshin qendror të qytetit i cili në orën 00:00 u ndez nga fishekzjarret, ndërsa qielli u mbush plot ngjyra.