Fotografia që pretendohet se është bërë në aeroportin e Beogradit është klikuar qindra-mijëra herë në mediat sociale. Por sipas hulumtimit të DW ajo është e falsifikuar.
Fluturimi i pretenduar që ka si destinacion “Kosovo Serbia” duket se është provokim i qëllimshëm. Kosova nuk është qytet, por shtet dhe në tabelat e aeroporteve zakonisht nuk shënohet emri i shtetit, por i qytetit ku mbërrin avioni. Po ashtu parlamenti i Kosovës shpalli në vitin 2008 pavarësinë, edhe pse Serbia, Rusia dhe Kina, apo pesë vende të BE-së nuk e njohin atë. Edhe Kievi është kryeqyeti i Ukrainës dhe jo qytet në Rusi.
Po ashtu nëse e shohim më me kujdes fotografinë, bien në sy falsifikime të tjera. Në anën e majtë, për shembull, në rastin e fluturimeve të supozuara për në Kiev dhe Kosovë janë flamujt e shteteve në vend të logove të linjave ajrore, si në rastin e fluturimeve të tjera.
Numrat e fluturimeve dëshmojnë për manipulimin
Sipas hulumtimit të DW edhe numrat e fluturimit tregojnë se fotografia është e falsifikuar. Numri i fluturimit është një numër identifikimi që specifikon një fluturim të një kompanie ajrore të caktuar. Shkronjat janë shkurtesa e linjës ajrore, kurse numrat lidhen me informacione në lidhje me fluturimin, vendin dhe kohën e nisjes dhe destinacionin./DW