Jean Monnet Centre of Excellence dhe Jean Monnet Chair: EU Financial and Insurance Markets Regulation janë dy projektet e reja të fituara nga Universiteti Europian i Tiranës.
Këto programe që financohen nga Bashkimi Europian kanë për qëllim thellimin e njohurive për të kuptuar më mirë BE-në, në të gjitha fushat. Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann theksoi se marrja e këtyre programeve i bën nder universiteteve dhe t’i fitosh nuk është e lehtë as për universitetet europian.
Jean Monnet njihet si më pragmatiku mes etërve themelues të Bashkimit Europian dhe programet që mbajnë sot emrin e tij, zënë një vend të veçantë në BE.
Veç Jean Monnet Centre of Excellence, UET ka fituar edhe projektin Jean Monnet Chair: EU Financial and Insurance Markets Regulation.
UET është i pari universitet në vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili ka fituar një projekt Jean Monnet Centre of Excellence.
Rektori i UET, Tonin Gjuraj, tha se për UET është e rëndësishme marrja dhe zhvillimi i dy projekteve Jean Monnet Chair.
“Ky është lajm i mirë, sepse integrimi është kompleks dhe arsimi është një sferë e rëndësishme”- thaTonin Gjuraj, Rektori i UET.
Institucionet që marrin pjesë në projektet Jean Monnet, pritet të mbështetin të ngarkuarin, ose thënë ndryshe chair holder, që në këtë rast është Universiteti Europian i Tiranës në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe veprimtari pasqyruese, duke i lejuar një game të gjerë kurrikulash të përfitojnë nga këto kurse.
Presidenti i UET, Selami Xhepa tha se ky institucion do të jetë chair holder për tre vitet e ardhshëm të këtyre projekteve
“Shpresoj që, me programin të japim kontribut dhe të krijojmë sinergji me qeverinë, me axhendën e integrimit, me ekipin negociator, jo vetëm me kapitujt e ekonomisë por edhe në çështje të tjera me interes.”- tha Selami Xhepa, Presidenti i UET.
Sa i përket numrit të projekteve të fituara, UET është një prej universiteteve lider në këtë fushë, në Shqipëri.