Kina do të heqë kërkesën për izolim për “COVID-19” për pasagjerët që vijnë nga jashtë duke filluar nga 8 janari, njoftoi të hënën Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë. Ky është lehtësimi i fundit i masave kineze dikur tejet të rrepta për të kontrolluar përhapjen e virusit.
Aktualisht, pasagjerët që shkojnë në Kinë duhet të qëndrojnë në izolim për pesë ditë në një hotel, pasuar nga tre ditë në shtëpi. Më parë vizitorët nga jashtë duhej të izoloheshin deri në tre javë.
Heqja e kërkesës për izolim është një hap i madh drejt rihapjes së plotë të udhëtimit me pjesën tjetër të botës, të cilin qeveria e kufizoi me masa të rrepta në përpjekje për të luftuar përhapjen e virusit.
Kufizimet kanë penguar shumicën e kinezëve të udhëtojnë jashtë vendit, kanë kufizuar shkëmbimet e drejtpërdrejta diplomatike dhe kanë ulur ndjeshëm numrin e të huajve në Kinë për punë dhe studime.
Komisioni shëndetësor i Kinës tha se do të ndërmerren hapa për ta bërë më të lehtë hyrjen e disa të huajve në vend, megjithëse kjo nuk përfshin turistët. Ai tregoi se kinezët do të lejohen gradualisht të udhëtojnë përsëri jashtë vendit për turizëm, një burim i rëndësishëm të ardhurash për hotelet dhe bizneset e lidhura me to në shumë vende.
Njerëzit që udhëtojnë drejt Kinës do të kenë ende nevojë për një test negativ i bërë 48 orë para nisjes dhe pasagjerëve do t’u kërkohet të mbajnë maska mbrojtëse në avion, thuhet në njoftimin e komisionit shëndetësor.
Kina hoqi shumë nga kufizimet e saj pandemike në fillim të këtij muaji, duke shkaktuar mbushjen e dhomave të urgjencës spitalore dhe shtëpitë funerale.
Lehtësimi i masave u bë pas protestave kundër kufizimeve, të cilat kanë ngadalësuar ekonominë, duke lënë njerëzit pa punë dhe duke nxjerrë jashtë biznesit restorantet dhe dyqanet.
Për më shumë se 2 vjet e gjysmë, autoritetet kineze zbatuan politikën e quajtur “zero-Covid”, përpjekje për zbritur numrin e të infektuarve në zero. Këto masa strikte u bënë simboli i politikës së udhëheqësit kinez, Xi Jinping.
Përhapja e shpejtë e variantit “omicron”, në fund të vitit 2021, e bëri këtë strategji gjithnjë e më të paqëndrueshme, pasi autoritetet zbatonin bllokime gjithnjë e më të ashpra duke shkaktuar pengesa serioze për ekonominë dhe jetën në përgjithësi.