Ballina Bota Stuhi masive dimërore në SHBA në prag të festave

Stuhi masive dimërore në SHBA në prag të festave

Stuhi dimërore prekën një pjesë të madhe të Shteteve të Bashkuara të enjten duke rrezikuar planet e udhëtimit të miliona amerikanëve përpara Krishltindjeve, që në shumë qytete pritet të jenë më të ftohtat që janë regjistruar ndonjëherë.

Në prag të fundjavës së festave, stuhia pritet të godasë rajonin e Great Lakes, priten shira dhe ngrica në Bregun Lindor, erë të fortë deri në 100 km në orë dhe i ftohtë i hidhur në jug deri në kufirin meksikan.

“Ndërsa stuhia përhapet mbi Great Lakes, pritet të ndodhë një fenomen i motit i njohur si një ciklon bombë”, tha Shërbimi Kombëtar i Motit. Sipas shërbimit të motit, cikloni mund të shkaktojë reshje të forta dëbore dhe erëra prej më shumë se 80 km/h në rajonet qëndrore dhe në verilindje.

Ka të ngjarë që si pasojë e stuhisë të ketë ndërprerje të energjisë elektrike dhe udhëtimi nga toka dhe ajri mund të jetë i rrezikshëm ose I pamundur.

“Është e rrezikshme dhe kërcënuese,” tha Presidenti Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, duke u kërkuar amerikanëve që planifikojnë të udhëtojnë të mos humbasin kohë dhe të nisen të enjten. “Kjo nuk është si një ditë dëbore, kur ishim fëmijë, kjo është diçka serioze”.

“Më shumë se 48 shtete nga Uashingtoni në Florida janë në alarm për motin dhe njoftimet për përkeqësim të motit prekin 135 milionë njerëz”, tha metereorologu Robinson Cook.

Në disa zona si pjesa e mesme e Atlantikut mund të regjistrohen Krishtlindjet më të ftohta ndonjëherë.

Të dielën në Filadelfia pritet që temperaturat të zbresin në minus 9 gradë Celcius, më të ulëtat që nga viti 1943 ndërkohë që në qytetin Sioux në Ajova, termometri pritet të shënojë minus 26 gradë Celcius, duke thyer rekordin e vitit 1980.

Shoqata Amerikane e Automjeteve vlerëson se 112.7 milionë persona planifikojnë të udhëtojnë 80 km ose edhe më shumë mes datave 22 dhjetor deri ne 3 janar, 3.6 milionë më shumë njerëz se një vit më parë, për shkak të kufizimeve nga pandemia.

Më shumë se 2 mijë fluturime në SHBA të planifikura të enjten dhe të premten u anuluan, përfshirë 700 nisje dhe mbërritje nga dy aeroportë në Çikago, sipas të dhënave të FlightAware. Qindra fluturime janë anuluar në Denver.

Greg Carbin, shef i shërbimit meteorologjik në Qendrën e Parashikimit të Motit tha se temperaturat e ulëta pritet të godasin edhe Floridën duke shënuan një rënie prej 25 gradë Celcius. “Është shumë ftohtë për në Florida”, tha ai.

Drejtuesit e automjeteve në Ohajo dhe Tenesi janë paralajmëruar se rrugët mund të ngrijnë për shkak të rënies së menjëhershmë te temperaturave.

Shërbimi i motit paralajmëroi shira edhe në Oregon dhe Uashington ku edhe nisi stuhia, të enjten vonë.

Xhorxhia, Karolina e Veriut dhe Kentaki kanë shpallur gjendjen e emergjencës. Në Xhorxhia temperaturat arritën në minus 12 gradë Celcius.

“Presim kushte moti që si kemi parë prej më shumë se një dekadë”, tha Guvernatori i Xhorxhias Brian Kemp në një konferencë për shtyp.