Ballina Aktualitet Në pritje të përfundimit të kufizimeve për azilkërkuesit në kufijtë e Shteteve...

Në pritje të përfundimit të kufizimeve për azilkërkuesit në kufijtë e Shteteve të Bashkuara

 

Me shmangien e pritshme të kufizimeve të vendosura gjatë pandemisë, që ua ndalonin emigrantëve të kërkonin azil në Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Sigurisë Kombëtare paraqiti rishtazi hapat që do të ndërmarrë në kufirin SHBA-Meksikë, në rast se kufizimet do të hiqen.

Një gjykatës në Uashington pati urdhëruar zbatimin e këtyre kufizimeve, të quajtura Titulli 42, deri më 21 dhjetor. Shtete të drejtuara nga zyrtarë republikanë apeluan vendimin duke kërkuar mbajtjen në fuqi të kufizimeve. Edhe administrata e Presidentit Biden ka kundërshtuar pjesë të vendimit që i jep fund kufizimeve të vendosura gjatë epokës së ish-Presidentit Trump.

Në një vlerësim të detajuar përpara këtij ndryshimi të mundshëm, Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se po zbaton tashmë plane për të menaxhuar një rritje të fluksit të emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë, përfshirë vënien në përdorimit të largimit të përshpejtuar, të autorizuar në legjislacionin e quajtur Titulli 8.

“Ndër të tjera, Titulli 8 parashikon që individët që kalojnë kufirin pa autorizim ligjor procedohen për t’u dëbuar, dhe nëse nuk arrijnë të parashtrojnë një arsye ligjore për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara, largohen menjëherë nga vendi”, njoftoi Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Ndërsa palët presin për një vendim, aktivistë të emigrantëve në Reynosa të Meksikës, i thanë Zërit të Amerikës se rreth 750 emigrantë në ditë kanë mbërritur gjatë ditëve të fundit.

Hector Silva, një pastor në zonën ku ndodhet një nga strehimoret më të mëdha të emigrantëve në pjesën meksikane të kufirit, i tha Zërit të Amerikës se aktivistët dhe vullnetarët kanë ndihmuar rreth 14 mijë familje gjatë javëve të fundit.

Tendat e ngritura nga autoritetet meksikane në San Pedro

“Kemi parë gjatë viteve të fundit, se njerëzit inkurajohen të vijnë dhe pastaj nuk dinë ku të shkojnë. Ajo çfarë po ndodh tani, që nga Tijuana deri në Matamoros, është se njerëzit po presin, kanë qenë në pritje prej muajsh. Disa kanë pritur prej vitesh. Dhe u themi një gjë: mos vini veten në rrezik. Mos hajdeni, pa e ditur se me çfarë do të përballeni në kufi”, tha zoti Silva në spanjisht.

Sipas Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit (CBP), në sektorin e Luginës Rio Grande, rreth 1800 emigrantë iu vetëdorëzuan autoriteteve gjatë një periudhe 48-orëshe, pasi kaluan kufirin nga Ciudad Juarez, i Meksikës, drejt El Paso, të Teksasit, dhe se një numër i madh njerëzish që kishin qenë që më parë në Ciudad Juarez, u ishin bashkuar të sapoardhurve për të kaluar kufirin së bashku.

Që nga marsi 2020, autoritetet kufitare amerikane kanë vënë në përdorim legjislacionin e Titullit 42 për t’i mohuar hyrjen miliona azilkërkuesve të mundshëm, me arsyetimin se lejimi i tyre në vend do të rriste përhapjen e COVID-19ës.

Sipas të dhënave të CBP-së, Titulli 42 është përdorur në shumicën e rasteve gjatë vitit fiskal 2022, që vlerësohen se kanë qenë rreth 2.38 milionë. Sipas të dhënave, 1,079,507 persona janë dëbuar, dhe të tjerët, 1,299,437 janë proceduar për largim sipas Titullit 8.