Në një fjalim në parlamentin gjerman, kancelari Olaf Scholz tha sot se është në interesin e Gjermanisë dhe Evropës që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Ai përshëndeti shtimin e angazhimit të BE-së me gjashtë vendet e rajonit, ndërsa vlerësoi vendimet për t’i dhënë Bosnjes dhe Hercegovinës statusin e kandidatit dhe futjen e Kroacisë në zonën e Shengenit.
Kancelari gjerman Olaf Scholz mirëpriti ringjalljen e bisedimeve për zgjerimin e Bashkimit Evropian me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë muajve të fundit dhe vendimin e kësaj jave për t’i dhënë Bosnje-Hervegovinës statusin e kandidatit.
Zoti Scholz i bëri këto komente në fjalimin e tij në parlament, para takimit të nivelit të lartë të bllokut me 27 anëtarë në Bruksel.
“Është në interesin gjerman dhe evropian që pjesa e mbetur e Ballkanit të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”, tha zoti Scholz para ligjvënësve në Berlin.
Për momentin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme në aspiratën e tyre për anëtarësim në familjen e madhe evropiane.
Kancelari gjerman vlerësoi gjithashtu vendimin për futjen e Kroacisë në zonën evropiane të udhëtimit pa kontrolle, e njohur si zona Shengen.
“Është poashtu në interesin tonë që nga viti 2023 Kroacia të jetë pjesë e zonës Schengen”,tha zoti Scholz.
Zoti Scholz tha se njësoj duhet të veprohet edhe me Bullgarinë dhe Rumaninë, përfshirja e të cilave në zonën Schengen u bllokua javën e kaluar nga Austria.
Gjatë viteve të fundit procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk ka shënuar ndonjë përparim.
Por pas sulmit rus në Ukrainë në fund të shkurtit, zyrtarët e BE-së kanë theksuar se rritja e angazhimit të bllokut me vendet Ballkanit është jetik për sigurinë në Evropë.
Kancelari tha se mbështetja për Kievin dhe sanksionet kundër Moskës do të vazhdojnë të intensifikohen për aq kohë sa Presidenti Vladimir Putin vazhdon luftën e tij kundër Ukrainës.
“Ne do të sigurohemi që Ukraina të vazhdojë të ketë burimet financiare që i nevojiten në vitin 2023”, tha ai ndërsa njoftoi planet për t’i siguruar Kievit 18 miliardë euro shtesë.
Duke folur për rëndësinë e unitetit, zoti Scholz tha se forcimi i partneritetit me Shtetet e Bashkuara përmes “tregtisë së përbashkët dhe të ndershme” është thelbësore.