Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka nisur procedura disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, lidhur me dyshimet për shkelje gjatë ndeshjes me Zvicrën.

Ndeshja midis Zvicrës dhe Serbisë, që u luajt më 2 dhjetor në kuadër të Kupës së Botës, u përshkrua me tensione.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka dërguar ankesë në FIFA për shkak të, siç tha më 4 dhjetor, “fyerjes së rëndë të trajnerit të përfaqësueses së Serbisë” si dhe “veprimeve raciste të tifozëve serbë” gjatë ndeshjes Zvicër-Serbi.

“Komiteti disiplinor i FIFA-s ka nisur procedurë kundër Federatës së Futbollit të Serbisë, për shkak të shkeljes së mundshme të nenit 12 [sjelljes së pahijshme të lojtarëve dhe zyrtarëve], nenit 13 [diskriminim] dhe nenit 16 [rendi dhe siguria e ndeshjes] të Kodit Disiplinor të FIFA-s, në lidhje me incidentet gjatë ndeshjes midis Serbisë dhe Zvicrës, që u mbajt më 2 dhjetor në kuadër të Kupës së Botës”, u tha në njoftimin e FIFA-s.

Në ndeshjen e mbajtur në Katar, ka pasur përplasje midis lojtarëve serbë dhe kapitenit të Zvicrës, Granit Xhaka.

FFK në reagimin e saj ka kërkuar që FIFA të hetojë dhe sanksionojë Federatën serbe të Futbollit, duke argumentuar se thirrje raciste janë dëgjuar gjatë tërë ndeshjes.

“Ekipe dhe tifozë me sjellje e filozofi të urrejtjes së njeriut për njeriun nuk do të duhej të kenë vend në ngjarje kaq të rëndësishme sportive siç është Botërori ‘Katari 2022’”, tha FFK-ja.

Kjo është procedura e dytë disiplinore që FIFA inicion ndaj Serbisë. Në nëntor, pas një ankese të FFK-së, FIFA hapi procedurën disiplinore për shkak të shfaqjes së një flamuri në zhveshtoren e përfaqësueses së Serbisë, me hartën e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “S’ka dorëzim”.

FIFA citoi një pjesë të kodit të saj disiplinor që mbulon sjelljen e pahijshme, duke përfshirë “gjestet, shenjat ose gjuhën fyese” dhe “përdorimin e një ngjarjeje sportive për demonstrime të një natyre josportive”.